MENU
klinika

Çfarë kërkon?

Zgjedhje të parakohshme? Opozita greke “sfidon” Tsiprasin

21.05.2019 - 13:20

“Zgjedhjet lokale dhe evropiane që mbahen këtë fundjavë pritet të pasohen nga zgjedhjet parlamentare”, kështu është shprehur opozita greke.

Gjatë të martës, lideri Konservator Kirjakos Micotakis i bëri thirrje rivalit të tij Aleksis Tsipras që vendi të shkojë në zgjedhje të parakoshme nëse partia e tij rezulton grupimi i parë politik.

Micotakis paralajmëroi zhvillime të reja nga java e ardhshme, ndërsa shtoi se qytetarët nuk kanë pse të pranojnë një periudhë të tejzgjatur paraelektorale deri në muajin tetor, kur është caktuar data formale e zgjedhjeve të përgjithshme.

Këto deklarata ai i bëri për televizionin Alfa, ku theksoi se është besimplotë që në zgjedhje do të konfirmohet rezultati i sondazheve të fundit që nxjerrin partinë e tij “Demokracia e Re” disa pikë përpara “Sirizës” majtiste.

Pyetjes se si do të vepronte po të zgjidhej kryeministër, Micotakis u përgjigj se do ta riorganizonte shtetin siç bëri në vitet 2013-2015 kur shërbeu si ministër për reformën administrative, duke i kushtuar përparësi reduktimit të taksave dhe thjeshtimit të tyre, si edhe ofrimit të stimujve fiskalë për investitorët në Greqi.

Zgjedhjet e së dielës janë dominuar nga adresimi i çështjeve lokale, ndërsa opozita i ka konsideruar si referendum pro apo kundër qeverisë.