MENU
klinika

Zgjedhjet e 30 Qershorit

Bashkia Skrapar e vendosur: S’ka zgjedhje!

25.06.2019 - 12:11

Disa Bashki kryesore në vend kanë vendosur të respektojnë dekretin e Presidentit Meta. Edhe kryetari i bashkisë së Skraparit, Nesim Spahiu ka dërguar një letër KQZ-së dhe për dijeni Komisariatit të Policisë së Skraparit dhe misionit të OSBE/ODIHR-it.

Duke iu referuar letrës, njoftohet se nga ana e kësaj bashkie do të respektohet dekreti i Presidentit për anullimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit i cili është botuar në Fletoren Zyrtare dhe është akt me fuqi detyruese në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Datën e zgjedhjeve vendore nuk e cakton as Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), as njësia e qeverisjes vendore, as Kryeministri, as Policia e Shtetit dhe as partitë politike.

Ajo është kompetencë ekskluzive kushtetuese e Presidentit të Republikës, si autoriteti që përfaqëson unitetin e popullit”, shkruhet në këtë letër.

Më tej kryetari i Bashkisë, Nesim Spahiu thekson se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të urdhërojë përdorimin e ambienteve në pronësi apo administrim të tij, por nuk mund të shkelë Kushtetutën e ligjin dhe të kryejë veprime të paligjshme në ambientet që janë nën pronësinë/administrimin e Bashkisë.

Letra e plotë:

Letra e Kryetarit te Bashkise Skrapar Nesim Spahiu per Komisionin Qendror te Zgjedhjeve

Lënda: Njoftim për zbatimin e Kushtetutës dhe mbrojtjen e parimeve të shtetit të së drejtës

Drejtuar: KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEV

Për dijeni: KOMISARIATIT TË POLICISË SKRAPAR

MISIONIT TË OSBE/ODIHR

Me Dekretin nr. 11199, datë 10.06.2019 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë është vendosur anulimi i datës 30 Qershor 2019 si ditë për zhvillimin e votimeve lokale.

Ky Dekret është botuar në Fletoren Zyrtare dhe është akt me fuqi detyruese në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Nuk ekziston asnjë akt që të ketë njoftuar shfuqizimin e Dekretit nr. 11199, datë 10.06.2019 të Presidentit të Republikës. Nëse ju dispononi një akt të tillë, ju lutem na e bëni me dije. Deri atëherë, Dekreti i Presidentit është i detyrueshëm për zbatim, sepse ai është autoriteti i vetëm kushtetues që vendos kur zhvillohen votime në Shqipëri. Datën e zgjedhjeve vendore nuk e cakton as Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), as njësia e qeverisjes vendore, as Kryeministri, as Policia e Shtetit dhe as partitë politike. Ajo është kompetencë ekskluzive kushtetuese e Presidentit të Republikës, si autoriteti që përfaqëson unitetin e popullit.

Fakti që KQZ ka vendosur të marrë tagrat e Gjykatës Kushtetuese, apo sistemit gjyqësor, dhe në shkelje të Kushtetutës e ligjit, të veprojë sipas urdhrave politik, nuk nënkupton që edhe njësitë e qeverisjes vendore të ndjekin KQZ-ne në këtë absurd kushtetues, ligjor e logjik, që po cenon sigurinë në vend dhe stabilitetin demokratik të Shqipërisë.

Për pasojë, për njësinë e qeverisjes vendore zbatimi i Kushtetutës dhe Dekretit të Presidentit të Republikës, është e vetmja mënyrë për respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës dhe garantimit të ushtrimit efektiv të të drejtës për të zgjedhur.

Për këtë shkak, ju bëjmë me dije se ne jemi të vendosur qё të marrim nën administrim ambientet ku janë vendosur KZAZ dhe GNV, pa asnjë tolerim, pavarësisht pengesave të paligjshme që na janë krijuar nga Policia e Shtetit dhe gjejmë rastin t’ju kujtojmë se me qëndrimet tuaja të paligjshme, jeni duke cenuar rëndë autonominë vendore dhe kompetencat kushtetuese të njësive të qeverisjes vendore.

Një organ i krijuar me ligj, si KQZ, pavarësisht delirit që karakterizon anëtarët e tij, nuk mund t’i tregojë kufijtë e ‘ligjshmërisë’ apo ‘paligjshmërisë’, organeve kushtetuese, nga Presidenti i Republikës tek organet e vetqeverisjes vendore. Ju mund të ndryshoni Kushtetutën me vendim Qeverie, por më lejoni t’ju theksoj se KQZ nuk është “superorgani” që drejton shtetin dhe as “treni që ndalon në stacionin e duhur” për të orientuar sjelljen institucionale të organeve kushtetuese.

Gjithashtu, ju bëjmë me dije se në datat 27 Qershor 2019 – 2 Korrik 2019, në kushtet kur nuk ka një Dekret të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve, në ambientet që ishin vënë në dispozicion paraprakisht për KZAZ dhe GNV, është planifikuar të jenë në dispozicion të qytetarëve për aktivitete të ndryshme artistike, kulturore dhe letrare, që do të organizohen nga njësia e qeverisjes vendore, apo për tubime që do të organizohen në përputhje me të drejtën kushtetuese të lirisë së tubimit, sipas nenit 47 të Kushtetutës.

Në të ardhmen, ju lutem na kurseni kohën me shkresa e ultimatume të kota, sepse as nuk na impresiononi dhe as nuk e realizoni dot objektivin tuaj për të na intimiduar në ushtrimin me përgjegjshmëri të përgjegjësive tona kushtetuese e ligjore. Ndryshe nga ju, për ne, Kushtetuta dhe ligji, janë aktet e vetme që orientojnë sjelljen institucionale. Është zgjedhje juaj e pavarur (për të cilën mbani përgjegjësi personale) që në vend të Kushtetutës dhe ligjit, të zbatoni urdhrat politik, duke u shndërruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Komisionin e Garancive Statutore të Partisë Socialiste.

Nga ana tjetër, në përputhje me nenin 56 dhe 62 të Kodit Zgjedhor, ju njoftojmë se:

1- Kam shfuqizuar/anuluar aktin administrativ me të cilin kemi dërguar listën e zgjedhësve pranë KZAZ-së përkatëse, në kohën kur Dekreti i Presidentit të Republikës ishte në fuqi për organizimin e zgjedhjeve në 30 Qershor.

2- Kam shfuqizuar/anuluar aktin administrativ me të cilin kam caktuar vendndodhjen e Qendrave të Votimit (QV) në territorin e bashkisë. Në ambientet ku ishin planifikuar të vendoseshin QV- që janë në pronësi/administrim të njësisë së qeverisjes vendore, nuk do të lejohet vendosja e asnjë materiali zgjedhor. Ato do të ruhen me punonjës të strukturave të njësisë së qeverisjes vendore, që kanë përgjegjësinë për të mos lejuar hapjen e tyre pa autorizim paraprak nga Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore. Në datën 29-30 Qershor 2019, këto ambiente do të jenë në dispozicion të qytetarëve për aktivitete të ndryshme artistike, kulturore dhe letrare, që do të organizohen nga njësia e qeverisjes vendore, apo për tubime që do të organizohen në përputhje me të drejtën kushtetuese të lirisë së tubimit, sipas nenit 47 të Kushtetutës.

3- Kam shfuqizuar/anuluar aktin administrativ me të cilin kemi dërguar propozimet për vendndodhjen e QV në ambiente private apo që nuk janë nën pronësinë/administrimin e njësisë së qeverisjes vendore, si dhe do të njoftojmë pronarët e ligjshëm të këtyre ambienteve për këtë vendim.

Këtë njoftim po e bëjmë për efekt të detyrimit që ju keni për të mos cuar dëm materialet zgjedhore, sepse zaptimi i ambienteve tona me materiale që nuk janë të autorizuara nga ne të futen brenda, do të shkaktojë asgjesimin e tyre të menjëhershëm, në funksion të lirimit të ambienteve, për realizimin e aktiviteteve të përmendura në pikën 2 më lart.

Gjithashtu, në këto ambiente nuk do të lejohet të futet paraprakisht asnjë person pa autorizim të pronarit apo organit administrues të ambientit, që është njësia e qeverisjes vendore.

Në këtë pikë, sjellim në vëmendjen tuaj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të urdhërojë përdorimin e ambienteve në pronësi apo administrim të tij, por nuk mund të shkelë Kushtetutën e ligjin dhe të kryejë veprime të paligjshme në ambientet që janë nën pronësinë/administrimin tonë.

Fakti që “njohuritë” tuaja ligjore kapërcejnë kufijtë e normales, duke na referuar për zbatim Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë (akt me natyrë jo detyruese) dhe jo Dekretin e Presidentit të Republikës (akt me natyrë detyruese për këdo), nuk nënkupton që ne të kalojmë në paligjshmëri për shkakun tuaj. Ne jemi të vendosur të zbatojmë Kushtetutën dhe ligjin, duke njohur autoritetin e Presidentit të Republikës, si organi i vetëm që cakton datën kur zhvillohen zgjedhje të përgjithshme apo vendore në Shqipëri (për shkak se ndryshe nga ju nuk jemi në gjendje dhe nuk kemi delirin të mendojmë se kemi tagër kushtetues dhe ligjor për të gjykuar/vlerësuar kushtetutshmërinë apo ligjshmërinë e akteve të Kreut të Shtetit).

Së fundmi, ju bëjmë me dije, se për shkak të abuzimit tuaj me detyrën, keni shkaktuar situata të paprecedenta të përplasjeve institucionale midis strukturave bashkiake dhe Policisë së Shtetit, si dhe midis qytetarëve të bashkisë sonë dhe Policisë së Shtetit.

Kjo ka dëmtuar rëndë rendin publik dhe po rrezikon bashkëjetesën demokratike të qytetarëve. Ju sigurojmë se ju do të mbaheni përgjegjës për çdo cënim të integritetit fizik të çdo banori të bashkisë sonë, për çdo cenim të stabilitetit demokratik në vend dhe bashkëjetesës mes qytetarëve.

Duke ju uruar suksese në punën tuaj për organizimin e zgjedhjeve në datën e re që do të dekretohet nga Presidenti i Republikës, në përputhje me kompetencën e tij kushtetuese të sanksionuar në nenin 92/gj të Kushtetutës, gjejmë rastin t’ju garantojmë, që sapo kjo të ndodhë, do të gjeni të gjithë bashkëpunimin tonë institucional për përmbushjen e përbashkët të përgjegjësive sipas ligjit.

KRYETARI I BASHKISË

Nesim Spahiu