Buzëqesh më në fund Ferrari. Sebastian Vettel do të niset nga pole-position në garën e kësaj të diele në Montreal të Kanadasë.
Kokëkuqja konfirmoi momentin pozitiv që shfaqi në provat e lira, me Vettel që regjistroi kohën më të shpejtë edhe në provat zyrtare.
1 minutë 10 sekonda e 240 të mijtat ishte xhiroja rekord e Vettel që la pas rivalin e tij të madh anglezin Lewis Hamilton me 2 të dhjetat e sekondës më pak.
Nga vendi i tretë në Kanada do të niset Charles Leclerc me Ferrarin tjetër, ndërkohë që Daniel Ricciardo me Renault edhe pse zhvilloi prova të shkëlqyera nuk shkoi më shumë se vendi i 4-t.
Zhgënjeu Valteri Bottas që do ta startojë garën nga vendi i 6-të, ndërkohë që shumë më keq shkuan gjërat për Max Verstappen i cili u pozicionua i 11-ti.