MENU
klinika

Arbitrazhet

Gjyqet jashtë kufijve/ Sa do paguhen studiot shqiptare?

15.06.2019 - 20:57

Avokatët dhe studiot vendase ashtu si dhe ato të huajat do të kenë të drejtë të aplikojnë për të mbrojtur institucionet shqiptare në gjyqet e arbitrazhit apo në përplasje jashtë kufijve.

Një vendim i Këshillit të Ministrave përcakton se Avokatura e Shtetit do të kontraktojë avokatë apo studio për çdo çështje dëmshpërblimi i së cilës i kushton shtetit shqiptar mbi 100 milionë lekë.

Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka për objekt i vendimit është përcaktimi i procedurave dhe i kritereve për përzgjedhjen, kontraktimin dhe pagesën e avokatëve ose zyrave të avokatisë vendase ose të huaja.

Procedura do hartohet e do të mbikëqyret nga një Komision i përbërë nga 5 vetë.

Komisioni zbaton kriteret e vlerësimit me qëllim vlerësimin e ofertës nga pikëpamja ekonomiko-teknike, si:

Oferta ekonomike;

Përvoja profesionale e ofertuesit;

Eksperienca të ngjashme të stafit kryesor të propozuar me natyrën e mosmarrëveshjes dhe/ose të shërbimit të kërkuar;

si dhe raste të suksesit në procedime të ngjashme me objektin e procedurës së konkurrimit.

Avokati i Përgjithshëm i Shtetit shprehet lidhur me kërkesën e paraqitur nga ana e personit juridik, brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e saj, duke arsyetuar vendimmarrjen e tij mbështetur në këto kritere:
a) Çështja është me rëndësi të veçantë për interesat pasurorë të personit juridik apo të Republikës së Shqipërisë;
b) Çështja ka një natyrë të veçantë e të ndërlikuar juridike dhe kërkon njohuri juridike të specializuara në një fushë apo legjislacion të caktuar;

b) Çështja ka një natyrë të veçantë e të ndërlikuar juridike dhe kërkon njohuri juridike të specializuara në një fushë apo legjislacion të caktuar;
c) Çështja ka si objekt dëmshpërblimin për shuma më të mëdha se 100 000 000 (njëqind milionë) lekë;
ç) Në raste të tjera të veçanta të çmuara nga personi juridik ose Avokati i Përgjithshëm i Shtetit.

Avokati i Përgjithshëm i Shtetit nxjerr urdhër për fillimin e procedurës së konkurrimit për përzgjedhjen dhe kontraktimin e avokatit ose të zyrës së avokatisë vendase ose të huaj, duke përcaktuar, në çdo rast:

a) nevojën për asistencë juridike dhe kontraktimin e avokatit ose të zyrës së avokatisë vendase ose të huaj; b) objektin e procedurës së konkurrimit, si dhe llojin e shërbimit të kërkuar;
c) komisionin për hartimin e ftesës për ofertë dhe zhvillimin e procedurës së konkurrimit e të përzgjedhjes së ofertuesit.

Komisioni përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, me përfaqësues të Avokaturës së Shtetit, ku njëri prej tyre është kryetari. Komisioni, brenda 5 ditëve pune nga data e hyrjes në fuqi e urdhrit të Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, i dërgon me shkrim/elektronikisht ftesën për ofertë avokatit apo zyrave të avokatisë vendase apo të huaja që janë renditur në udhërrëfyes ndërkombëtarë të njohur në këtë fushë.

Komisioni publikon gjithashtu në faqen zyrtare të Avokaturës së Shtetit njoftimin për nevojën për kontraktimin e avokatëve apo të zyrave të avokatisë. Njoftimi përmban të gjithë informacionin e nevojshëm që u jep mundësi subjekteve të interesuara të shprehin interesin nëse do të marrin pjesë ose jo në këtë procedurë konkurrimi. Në vijim të shprehjes së interesit për të marrë pjesë në këtë procedurë konkurrimi, komisioni i dërgon me shkrim/elektronikisht ftesën për ofertë subjektit të interesuar.

Afati kohor minimal për dorëzimin e ofertave është 5 (pesë) ditë pune nga dita kur është shpallur njoftimi në faqen zyrtare të Avokaturës së Shtetit.

Megjithatë, në varësi të natyrës e të llojit të shërbimit, objekt i procedurës së konkurrimit, komisioni mund të caktojë një afat më të gjatë për dorëzimin dhe hapjen e ofertave.
Ftesa për ofertë duhet të përmbajë të gjithë informacionin e nevojshëm, në mënyrë që t’u mundësojë subjekteve të interesuara të dorëzojnë ofertat e tyre.

Ky informacion duhet të përmbajë:

a) një referencë për njoftimin e publikuar të procedurës së konkurrimit;
b) objektin e procedurës së konkurrimit, si dhe llojin e shërbimit të kërkuar; c) kriteret e kualifikimit që duhet të plotësohen nga avokatët apo zyrat e avokatisë në kuadër të këtij procesi konkurrimi, si dhe kriteret e vlerësimit për përzgjedhjen e ofertës fituese;
ç) vendin, datën dhe orën për dorëzimin e hapjen e ofertave;
d) gjuhën/gjuhët e ofertave dhe të dokumentacionit shoqërues;
dh) informacione të tjera që komisioni i vlerëson të nevojshme.

Subjektet e interesuara mund të kërkojnë sqarime për informacionet e dhëna në ftesën për ofertë. Komisioni i jep këto sqarime dhe ua dërgon të gjitha subjekteve me shkrim/elektronikisht, të cilave u është dërguar ftesa për ofertë. Nëse është e nevojshme, komisioni zgjat afatin kohor për dorëzimin e ofertave.