MENU
klinika

Nga Shpëtim Nazarko

Mirë mo mirë, po sa shkohet me idenë “Mbamë se u hodha”?

09.06.2019 - 13:30

Nuk e njoh Kushtetutën që të jap mend, se çfarë ndodh pas këtij vendimi të papritur të Presidentit.

Në logjikën e njeriut të zakonshëm, do të isha i prirë të mendoja se pavarësisht se si mendojnë të majtë e të djathtë, Presidenti do të kishte mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe t’u paraqiste argumentet e këtij vendimi ekstrem.

Pas kësaj do të merrte vendimin që mund të ishte edhe kundër shumicës, e do të komunikonte drejpërdrejt me popullin. Mund të dilte të paktën i larë dhe i qetë me ndërgjegjen e tij.

shpetim nazarko ne zululand
shpetim nazarko ne zululand

-Po a kishte kohë ta bënte këtë?- mund të pyeste dikush.

Shefi i opozitës ishte shprehur qartë në demostratën paraardhëse, se kjo do të ishte hera e fundit që po bënte dicka të njohur në praktikën e demostratave. Herën tjetër do t’ia linte vendin Sovranit.( Sovrani është dicka tjetër, po po e besojmë) Duke e marrë të mirëqenë kërcënimin e tij dhe shqetësimin e policisë për ngjarje të rënda, mund edhe të justifikosh vendimin e Metës. Po besoj edhe në këtë rast (kishte plot një javë) për të thirrur aktorët kryesorë në tavolinë.

Diskutimet, tanimë, nuk kanë vlerë, pasi vendimi u mor. Ka idera se socialistët mund të shkarkojnë Presidentin, etj…etj, duke shfrytëzuar faktin e të qënurit Republikë Parlamentare. Vetë mendoj se kjo është e dëmshme veçanërisht në kushtet kur nuk ke Gjykatë Kushtetuese.

Po çfarë do të ndodhë?

Është fare e qartë se në momentin që je në Kooperativën e NATO-s, asnjeri nuk bën dot zhurmë reale, jo vetëm për të shqetësuar fqinjët por edhe shtëpinë me emrin Shqipëri. Këtë lloj sovraniteti kemi kohë që e kemi dorëzuar. Ata që bërtasin poshtë e lart, se nuk pyesin për të huajt nuk mund t’u thonë edhe të “Mbajnë shaluar Atin” siç bënë në ’97-ën, ku erdhën 6 ushtri për të vënë rendin.

Zhurma reale që po bëhet prej 6 muajsh, a më shumë, i ngjan atyre sherreve të fëmijëve apo adoleshentëve, që bëjnë sikur zihen dhe duke shikuar majtas a djathtas i thonë të tjerëve:

-Mbamëni se u hodha..

Kaq e thjeshtë është shakaja. Dje, fundi i kësaj parulle, u duk qartë në horizont dhe Presidenti vendosi ta bëjë vetë arbitrin nga roli i atij që vëzhgon sherrin.

Po çfarë ka bërë realisht?

Ta zëmë se zgjedhjet nuk do të bëhen realisht tani e do të shtyhen deri në shtator. Çfarë do të bëjë pala që thotë “Mbamëni se u hodha”?

Natyrisht që asgjë. Të huajt që e kanë thënë fjalën e tyre, nuk kanë asnjë arsye të dalin në konkluzione të tjera, veç atyre që kanë thënë deri tani. E kam përmendur edhe në një shkrim më parë, se vetëm ditëzinjtë shpresojnë se nga i njëjti eksperiment do të dalin rezultate të ndryshme.

Qëndrimi i urtë në këtë rast do të ishte më i miri. Pra çfarë mund të bëjë PD dhe aleatët e saj deri në këtë kohë?

Si mund ta shërojnë plagën e tmerrshme që i kanë krijuar vetes duke e katandisur partinë e tyre, që në 2009 kishte po aq vota sa PS, të ketë sot 300 mijë vota më pak se ajo? Ky është problem real dhe këtë duhet të zgjdhin takticienët brenda PD.

Natyrisht, nuk jam i marrë të besoj se PS apo PD, në këto 30 vjet, nuk fusin a kanë futur duart, kur ja u lënë në thesin e votave. Po a jemi në këtë rast ?

E kam shkruar njëqind herë dhe i bëj pyetje publike Bashës?

Vërtetë mendon se Rama të ka vjedhur 300 mijë vota në harkun e 8 vjetëve?

Do ta besoja bashkë me të, që Rama i ka vjedhur këto 300 mijë vota, po të mos ishte llogaria e thjeshtë që më thotë: Nëse PD ka humbur 300 mijë vota, po me aq janë zmadhur aleatët e saj LSI dhe PDIU. Në kurriz të kujt?

Në fakt jo vetëm Basha po dhe analistët llafazanë të Shqipërisë që nuk kanë punë me shifrat, nuk kanë qejf ti përgjigjen kësaj pyetje. Bërtatsin pafundësisht, po me analizën nuk kanë punë…

Kur Basha apo të tjerë të tregojnë se si kanë humbur këto 300 mijë vota dhe kush i ka marrë ato do të renditesha me qejf në krah të opozitës.

Por, nëse Basha nuk ka qejf ta bëjë këtë llogari, duhet ta kuptojë se të huajt që janë përreth tij dhe Shqipërisë, i dinë dhe i bëjnë në sekondë këto llogari dhe e kanë të qartë ku çalon gomari,

Është kjo arsye e thjeshtë që ata i drejtohen Bashës që të respektojë rregullat dhe ligjet. Në të kundërt,ata do të bëheshin bashkë me të dhe do ta vinin Ramën me shpatulla për muri.

Mendoj, se nëse vërtet zgjedhjet do të shtyhen, Basha duhet ta zgjidhë këtë dilemë dhe të kuptojë, se ajo vlen shumë më tepër se sa kolovitja nëpër skema taktike, që vetëm në aparencë, të duket se të shpëtojnë nga halli. Në thelb, ato vetëm shtojnë këtë hall.

Ndonjëherë, mendoj se Basha mund të kishte rrugëdalje, nëse i bashkonte votat e tij të përgjysmuara në harkun e dhjetëvjetëve me të aleatëve që zgjodhi këto vjet. Në këtë rast, numri i këtyre votave, arrin apo ndoshta dhe i kalon ato të PS-së. Pse nuk e bën?

Nuk e lë sistemi apo nuk ka mundësi të gjejë gjuhën me aleatët?Kam frikë se Basha nuk i shkon kësaj llogarie për shkakun e dytë.

Në 2011-ë  e bëri këtë duke u lënë aleatëve të LSI-së disa qytete në zgjedhjet lokale. Po bashkë me humbjen e qyteteve, humbi dhe më shumë se 100 mijë vota, që LSI i çoi në 2013-ën tek aleati i ri, PS. Dhe nuk i ktheu më, po vetëm vazhdoi t’i shtojë në kurriz të PD. Nuk ka arsye të mos kesh frikë. Këtu, siç është parë, i ndërrojnë aleancat dhe brenda mandatit. Kjo, ngaqë nuk përfaqësojnë asgjë veç interesave të kryetarëve të partisë, që mbeten të pakënaqur nga aksh favor që nuk u jepet…

Situata e tanishme duket e ngatërruar, Besoj, se edhe të shtyhen zgjedhjet, ato nuk prodhojnë asgjë. Halli i PD do të ngelet po i njëjtë. Nuk ka asnjë fëmijë rruge të besojë se asaj i ka vjedhur 300 mijë vota PS.

Po si i bëhet?

Vetë besoj se PD nuk ka për ti hyrë asnjëherë rregullave të qarta për të dalë nga kjo gropë ku e ka futur veten nga 2009. Analistët llafazanë të Shqipërisë dhe të ashtuquajturit politologë që merren me çastin, po jo me kronologjinë e ngjarjeve që sollën këtë çast do të bëjnë të njëjtën gjë si PD.

Kështu që mbetet edhe për disa kohë të shikojmë të njëtin ritual si të fëmijëve, a adoleshentëve që përmenda më sipër: “Mbamëni se u hodha”.

Mirë mo mirë po deri sa vete ky variant? Presidenti vendosi ta marrë seriozisht këtë thënie që do ti kushtojë atij vendit dhe të tjerëve probleme. Po për sa kohë ?

Më duket po tallemi me Shqipërinë…Nuk e besoj. Po shohim vdekjen e një pjese të mirë të klasës politike, po edhe të shtypit që tërhoqi zvarrë këtë vend tridhjetë vjet rresht…

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!