Kanë përfunduar punimet për ndërtmin e lotit të parë në aksin i cili lidh Çorovodën me qytetin e Përmert. Rruga, një investin i Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka tashmë të gjitha parametrat e nevojshëm duke ofruar më tepër siguri për të gjithë përdoruesit e saj.
Ky aks ju vjen në ndihmë jo vetëm banorëve të këtyre qendrave, por edhe turistëve të shumtë të cilët i vizitojnë ato.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi ecurinë e punimeve të cilat kanë përfunduar para afatit të parashikuar, pavarësisht problematikave të hasura si pasojë e kushteve gjeologjike por që morën zgjidhje në Këshillin Teknik të ARRSH-së.
“Segmenti ka një gjatësi rreth 5 kilometra. Është një investim që ka filluar në vitin 2017 dhe ka përfunduar para afatit.
Ka një vlerë rreth 10 milionë euro, me gjerësi rruge 6 metra, mure pritës në krahun e djathtë rreth 3.7 kilometra dhe mure mbajtës 500 metra.
Gjithashtu është ndërtuar edhe ura e Lapanit me gjatësi rreth 40 metra, e gjitha me konstruksion metalik”, u shpreh inxhinieri i firmës kontraktuale.
Nga ana e saj, ministrja Balluku vlerësoi investimin e bërë duke theksuar se ndërtomi i këtij segmenti rrugor lidh dy zona me potenciale të mëdha për zhvillimin edhe më tej të turizmit.
“Kjo është një rrugë shumë e rëndësishme sepse është një rrugë që lidh dy qytete, pra Çorovodën dhe Përmetin, dhe siç e kemi thënë shpesh herë gjatë inspektimeve tona është e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të të gjithë vendit lidhja përmes qendrave ekonomike, përmes qyteteve sepse kështu krijohendhe shkëmbimet tregtare dhe lehtësojmë jetën e të gjithë qytetarëve të këtyre zonave”, u shpreh Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se rruga Çorovodë-Përmet, është një investim në mbështetje të strategjisë kombëtare të zhvillimit të turizmit, të hartuar nga Qeveria Shqiptare dhe se do të ndikojë në rritjen e numrit të vizitorëve të cilët tashmë do të kenë një infrastrukturë rrugore me standardet e duhura.
“Kjo zonë ka vlera turistike të jashtëzakonshme. Sot tek vinim, pavarësisht se është një ditë jave, kishte lëvizje të madhe të turistëve që vinin në zonë, të pajisur me mjete sportive, me kanoet për të aksesuar kanionet, kështu që kjo e bën këtë rrugë akoma dhe më të rëndësishme.
Pra jo vetëm për ndërlidhjen midis qyteteve dhe zhvillimin ekonomik por edhe për zhvillimin e strategjisë së turizmit që ka rëndësi të veçantë për Qeverinë Shqiptare”, nënvizoi Balluku.