MENU
klinika

Çfarë ndodhi pas tij në troje?

141 vite nga Kongresi i Berlinit, punimet që ‘shembën’ Shqipërinë

14.07.2019 - 22:07

Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit.

Në të morën pjesë 6 Fuqitë e Mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark.

Në punimet e Kongresit të Berlinit mori pjesë edhe një delegacion qeveritar i Perandorisë Osmane, i kryesuar nga ministri i saj i Jashtëm, Kara Theodhor Pasha, me ndihmës të parë Mehmet Ali Pashën, një marshall turk me origjinë gjermane. Por delegacioni turk nuk kishte të drejta të barabarta me ato të Fuqive të Mëdha. Ai mund të diskutonte për çdo çështje të rendit të ditës, por nuk kishte të drejtë të votonte për vendimet e Kongresit.

Me ftesën e Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi) dërguan në Berlin delegacionet e tyre qeveritare, të cilat parashtruan dhe mbrojtën në seanca të veçanta të Kongresit kërkesat e tyre politike e territoriale.

Edhe shqiptarët, sidomos organizmat e Lidhjes së Prizrenit, i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat e tyre.

Në dhjetëra peticione e memorandume të dërguara gjatë muajve qershor-korrik 1878, përveç protestave kundër lakmive pushtuese të shteteve fqinje, që cenonin tërësinë territoriale të Shqipërisë, parashtrohej edhe kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë disa të drejta autonomiste. Këtë kërkesë ia përcolli me anën e Abdyl Frashërit Kongresit të Berlinit edhe Lidhja e Prizrenit me peticionin që miratoi më 15 qershor.

Megjithëse kjo platformë e autonomisë ishte pranuar nga shumica e qarqeve patriotike shqiptare, nuk munguan t’u paraqiten Fuqive të Mëdha edhe kërkesa të tjera, që parashikonin formimin e një shteti të pavarur shqiptar. Kështu, në memorandumin, që një grup atdhetarësh shkodranë i dërguan më 13 qershor 1878 lordit Beaconsfield, kryetar i delegacionit anglez në Kongresin e Berlinit, pasi flitej hollësisht për rrezikun që i kanosej tërësisë territoriale të Shqipërisë nga shtetet fqinje, parashtrohej si zgjidhja më e përshtatshme për çështjen shqiptare, në kushtet në të cilat ndodhej Evropa Juglindore, formimi i një shteti shqiptar të pavarur.

Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar do ta çlironte popullin shqiptar nga zgjedha shekullore osmane, do të krijonte në Ballkan një mburojë kundër pansllavizmit rus dhe do të shërbente si një element ekuilibri në lindje.

Megjithatë, Fuqitë e Mëdha, të mbledhura në Kongresin e Berlinit, nuk i morën parasysh këto kërkesa të shqiptarëve.

Edhe pse në Berlin luhej fati i popullit shqiptar, Fuqitë e Mëdha e injoruan qenien e tij. Madje, delegacioni shqiptar, i ngarkuar nga Lidhja e Prizrenit, i cili shkoi në Berlin me nismën e vet për t’i parashtruar Kongresit të drejtat e Shqipërisë, nuk u përkrah nga askush.

Abdyl Frashëri, kryetari i delegacionit, u përpoq ta bindte kryetarin e Kongresit, kancelarin Bismark, në një takim që pati me të, që ta përfshinte në rendin e ditës së një seance edhe çështjen e kombit shqiptar. Por kancelari gjerman nuk pranoi duke u shprehur brutalisht se “nuk ka një komb shqiptar”.

Si rrjedhim, çështja shqiptare nuk u përfill fare si çështje më vete nga Kongresi i Berlinit. Të mbledhura për të rishikuar Traktatin e Shën-Stefanit, Fuqitë e Mëdha morën përsipër që të hartonin në Kongresin e Berlinit një hartë të re politike të Gadishullit Ballkanik.

Në Kongres Fuqitë e Mëdha nuk u udhëhoqën nga parimi i lirisë së popujve, por nga interesat e tyre të veçantë, të cilët ishin në kontradiktë të thellë ndërmjet tyre.

Punimet e Kongresit të Berlinit vijuan plot një muaj. Ato përfunduan më 13 korrik 1878 me nënshkrimin e Traktatit të Berlinit, i cili zëvendësoi atë të Shën-Stefanit.

Sipas traktatit të ri, me këmbënguljen e Austro-Hungarisë u vendos që Serbia të mos zgjerohej nga ana jugore (në drejtim të Novi Pazarit, të Mitrovicës dhe të Prishtinës, të cilat Vjena i lakmonte për vete), por nga ana juglindore, duke i dhënë asaj krahinat e Pirotit, të Trenit, të Vranjës e të Nishit; këto, me Traktatin e Shën-Stefanit, i qenë premtuar Bullgarisë.

Malit të Zi iu pakësuan së tepërmi përfitimet territoriale nga ana veriore, në drejtim të Hercegovinës dhe të Novi Pazarit. Sipas Traktatit të Berlinit, ai do të zgjerohej kryesisht nga ana jugore: do të merrte krahinat e Tivarit, të Podgoricës, të Plavës, të Gucisë, të Rugovës e të Kolashinit. Aneksimi i Ulqinit nuk iu njoh, por Cetina fitonte të drejtën që anijet tregtare malazeze të lundronin lirisht në lumin Bunë dhe në liqenin e Shkodrës.

Kongresi, duke marrë parasysh kundërshtimin që bëri Anglia për Kretën dhe Rusia për Maqedoninë, nuk pranoi që këto t’i jepeshin Greqisë, ndërsa për pretendimet greke në Epir, Perandoria Osmane deklaroi haptas se aneksimi i Epirit nga Greqia do të ishte i rrezikshëm për të dyja palët, pasi aty mbisundonte popullsia shqiptare, e cila do t’u shkaktonte telashe si Greqisë, ashtu dhe Turqisë. Më në fund u vendos që kufiri në Thesali dhe në Epir të caktohej nga një komision turko-grek. Megjithatë, Kongresi rekomandonte si vijë kufiri lumin Kalamas në Epir dhe lumin Selemvria në Thesali. Në rast se Greqia e Turqia nuk do të merreshin dot vesh ndërmjet tyre, thuhej në nenin 24, atëherë do të ndërhynin Fuqitë e Mëdha.

Vendimet e Kongresit të Berlinit cenonin rëndë interesat e popullit shqiptar dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë.

Ashtu si Traktati i Shën-Stefanit, edhe ai nuk e pa Shqipërinë si një njësi politike të veçantë, por e trajtoi si një plaçkë tregu të destinuar për të përmbushur synimet e Fuqive të Mëdha dhe për të kënaqur lakmitë e shteteve ballkanike. Traktati i Berlinit nuk i njohu Shqipërisë asnjë të drejtë kombëtare, madje nuk e zinte fare në gojë emrin e saj

Ai nuk e respektoi as tërësinë e saj territoriale. Malit të Zi, përveç trojeve me popullsi të përzier shqiptare e sllave, iu dhanë përsëri disa vise thjesht shqiptare (krahinat e Plavës, të Gucisë e të Rugovës), sikundër edhe Serbisë (krahinat e Vranjës, të Trenit e të Pirotit). Bullgarisë nuk iu njohën viset e Shqipërisë Lindore, por, nga ana tjetër, iu dhanë Greqisë (e cila nuk përfitonte asgjë nga Traktati i Shën-Stefanit), viset e Çamërisë. Veç kësaj, me Traktatin e Berlinit lindi edhe një rrezik tjetër për trojet shqiptare. Ky rrezik vinte nga Austro-Hungaria, e cila, përveç pushtimit të Bosnjës dhe të Hercegovinës, fitonte gjithashtu të drejtën të vendoste garnizone ushtarake dhe të ndërtonte rrugë strategjike në sanxhakun e Novi Pazarit “deri përtej Mitrovicës”. Me këto koncesione Vjena hidhte hapin e parë për të pushtuar një ditë krejt Kosovën dhe për të dalë pastaj në Selanik.

Midis vendimeve të tjera që mori Kongresi i Berlinit, dy prej tyre preknin, njëri tërthorazi e tjetri drejtpërdrejt, dy çështje që kishin lidhje me aspektin politik të trojeve shqiptare, që do të mbeteshin nën sundimin e Perandorisë Osmane.

Të dyja këto vendime ishin negative për Shqipërinë.

Me nenin 23 Fuqitë e Mëdha cenonin interesat jetike të Shqipërisë, jo pse e detyronin Perandorinë Osmane t’i pajiste viset ballkanike me administratë autonome “të përshtatshme” me nevojat e tyre, por me të drejtën që fitoi Porta e Lartë për ta mbajtur edhe në të ardhmen ndarjen administrative që ishte në fuqi, pra copëtimin e trojeve shqiptare ndërmjet katër vilajeteve të ndryshme.

Fuqitë e Mëdha cenonin interesat jetike të Shqipërisë, sepse çështjen kombëtare shqiptare e reduktuan vetëm si problem të popullsisë së saj katolike.

Veç informacioneve më lart, në videon e bashkangjitur gjeni edhe një shpjegim të detajuar lidhur me zhvillimin e Kongresit, nënshkruesit e tij, dhe pasojat që la copëtimi i tokave shqiptare, nga Sami Flamuri.

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB