Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka gjobitur me 1.6 milionë lekë 6 subjekte tregtare në Durrës, Vlorë dhe në Shkodër.
AKU thekson se gjoba vjen për shkak se subjektet në fjalë tregtonin ushqim që nuk përmbush kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore.
Njoftimi i AKU-së:
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet e njëpasnjëshme në magazina ushqimore, tregje ambulante dhe fast-food-e, në kuadër të vijimit të mbarëvajtjes së sezonit turistik, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.
Nga këto kontrolle zyrtare ka rezultuar se disa subjekte dhe tregtarë ambulantë në Vlorë, Durrës dhe Shkodër nuk përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore. Më konkretisht:
Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “ORI-B” me aktivitet “Ruajtje dhe shpërndarje në temperaturë ambjenti”, Shkodër, u konstatua se subjekti ushtronte veprimtarinë në kushte të papërshatshme higjeno-sanitare, produktet ushqimore nuk ishin të sistemuara (ishin vendosur në mënyrë të çrregullt në të gjithë ambientin e tregtimit, madje kishte produkte të vendosura dhe në ambientet sanitare), si dhe në muret kishte prani myku.
Gjatë kontrollit u evidentuan gjithashtu një sërë produktesh me afat të kaluar përdorimi (pije freskuese, vaj ulliri, ëmbëlsira etj).
Për shkeljet e konstatuara, AKU mori masat administrative të mëposhtme:
“Gjobë” me vlerën 500,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare,
“Gjobë” me vlerën 300,000 lekë për hedhjen në treg të produkteve të pasigurta për konsum,
“Bllokimi i produkteve” me afat të kaluar përdorimi, me qëllim asgjësimin e tyre,
“Bllokimi i aktivitetit” në mënyrë të menjëhershme.
Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Marjeta Mehmeti” me aktivitet “Fast-Food”, Durrës, u konstatua se subjekti ushtron aktivitetin në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare (tavani i hapur në ambientin e kuzhinës, prani e papastërtive dhe mykut/ lagështirës në magazinën ku ruhej lënda e parë, si dhe tualeti ishte jashtë funksionit).
U evidentua gjithashtu se subjekti nuk dispononte regjistrin për monitorimin e temperaturave frigoriferike, si dhe mungonte analiza e ujit të pijshëm.
Për shkeljet e konstatuara, AKU mori masat madministrative të mëposhtme:
“Gjobë” me vlerën 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare,
“Gjobë”me vlerën 100,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë.
Nga kontrollet e ushtruara nga ana e Drejtorisë Rajonale AKU Vlorë në aksin Dukat-Llogara tek disa tregtarë ambulant të mjaltit, të cilët tregtonin në buzë të rrugës në kushte të papërshtatshme, u konstatua se këta tregtarë nuk dispononin sistemin e gjurmueshmërisë për produktet që tregtonin, si dhe produktet nuk ishin të etiketuara konform ligjit.
Për shkeljet e konstatuara, AKU mori masën administrative:
“Gjobë” me vlerë totale 400,000 lekë ndaj 4 tregtarëve ambulantë,
“Bllokim produkti” për 85 kg Mjalt i konstatuar i pasigurt për konsum, me qëllim asgjësimin e tij.
AKU vijon punën e pandërprerë në të gjithë vendin, duke kontrolluar zbatimin e kërkesave ligjore nga ana e operatorëve të biznesit ushqimor, për të garantuar në këtë mënyrë konsumatorët për sigurinë e produkteve që konsumojnë.