MENU
klinika

Shifrat zyrtare

Borxhi publik – Ishte sa 63% e PBB-së në mesin e vitit

27.07.2019 - 20:59

Ministria e Financave e vlerëson borxhin publik i Shqipërisë sa 63% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Shifrat zyrtare të borxhit publik në fund të muajit qershor tregojnë një rënie të përkohshme të borxhit publik në terma realë, por kjo është një shifër e destinuar të rritet më tej gjatë viti, me zgjerimin e pritshëm të stokut të borxhit. Mbështetur në projeksionet e buxhetit 2019, borxhi publik pritet të jetë rreth 64.9% në fund të këtij viti

Në 30 qershor, borxhi publik i Shqipërisë ishte rreth 1.1 trilionë lekë ose rreth 9 miliardë euro.

Që nga fillimi i vitit, borxhi është ulur me rreth dy miliardë lekë. Deficiti i ulët, madje edhe suficiti për muaj me radhë, është bërë një tendencë pak a shumë tipike për buxhetin e shtetit në pjesën e parë të vitit. Kjo ndodh sepse në këtë periudhë ecuria e shpenzimeve publike dhe sidomos e investimeve është e ngadaltë.

Zakonisht, pjesa më e madhe e deficitit shpenzohet në pjesën e dytë të vitit dhe sidomos në tremujorin e fundit. Kjo reflektohet më tej edhe në ecurinë e treguesve të borxhit. Banka e Shqipërisë i ka sugjeruar në mënyrë të përsëritur qeverisë shqiptare një shpërndarje më të barabartë të shpenzimeve buxhetore gjatë vitit.

Në 6-mujorin e parë, qeveria shqiptare ka rritur lehtë borxhin e brendshëm, ndërsa ka ulur me afro shtatë miliardë lekë borxhin e jashtëm.

Ndërkohë, edhe këtë vit vazhdon zgjatja e maturimit të borxhit të brendshëm. 64% e huamarrjes së brendshme është financuar përmes obligacioneve, ndërsa maturimi mesatar i titujve të huamarrjes ka arritur në 824 ditë. Kjo është strategji që po ndiqet me qëllim uljen e rrezikut të rifinancimit dhe shfrytëzimin normave të ulëta të interesit që ofron tregu sot.

Sipas Ministrisë së Financave, yield-i mesatar i titujve të ka rënë në 4.02%, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.