MENU
klinika

Tabela

BSH, plan veprimi për nxitjen e kredisë në ekonomi

29.07.2019 - 11:30

Teksa huaja që jepet për ekonominë ka shënuar një rritje të dobët tre vitet e fundit, sidomos ajo për bizneset, Banka e Shqipërisë po harton një plan masash për ta nxitur atë.

Ky plan konkret masash, i nxitur dhe nga detyrat që u lanë nga rezoluta e Kuvendit për Bankën e Shqipërisë, synon përmirësimin e sasisë dhe të cilësisë së kreditimit.

Dhe rigjallërimin e procesit të kreditimit të shëndetshëm në vend.

Ky plan masash i hartuar tashmë nga Banka e Shqipërisë iu është dërguar për konsultim bankave tregtare në vend dhe është në linjë me planin tjetër të masave që u ndërmorr për uljen e nivelit të kredive me probleme dhe ristrukturimin e kredive.

Burime nga Banka e Shqipërisë pohuan se plani është ende në fazat e para dhe po pritet dhe mendimi i bankave, por pikat kryesore të planit lidhet me disa masa si:

-rritja e aksesit të bizneseve në institucione, si psh në hipoteka;

-Masat për ekzekutimin e kolateralit, një proces me të cilin në fakt po punohet prej kohësh;

-Ulja e informalitetit në ekonomi, që nga ana e saj do të ndikonte në rritjen e huasë në banka;

-Shqipëria është nja nga vendet me penetrimin më të ulët të shërbimeve bankare.

Kredia në raport me prodhimin e brendshëm bruto është rreth 35%, më e ulëta në rajon dhe shumë larg vendeve të zhvilluara.

Të njëjtët tregues të dobët vendi ka si për numrin e llogarive bankare, ATM-të dhe përdorimin e kartave.

Një nga masat e bankës synon pikërisht rritjen e shërbimeve bankare nga popullsia, përmes programeve edukuese, apo nxitësve të tjerë, shkruan monitor.

-Një tjetër masë synon të promovojë marrëveshjet e ndarjes së riskut të kredisë nga bankat, psh me bankat mëmë, me institucionet ndërkombëtare, apo me qeverinë.

Gjithsesi, pasi të merren dhe opinionet e bankave do të mund të arrihet një plan me masa konkrete që do të synojë nxitjen e kreditimit në vend.

Që prej vitit 2012, rritja vjetore e huasë në banka ka qenë e ngadaltë, ndryshe nga zgjerimi dyshifror i viteve të mëparshme.

Në 2018-n, rritja vjetore ishte për herë të parë negative, por këtu ndikoi dhe efekti i kursit të këmbimit si rrjedhojë e zhvlerësimit të euros ashtu dhe fshirja e kredive, që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen, nga bilancet e bankave.

Niveli i lartë i kredive me probleme që u shoqërua me huadhënien e lartë në periudhën 2004-2011 ishte një nga faktorët që frenoi bankat.

Nga ana tjetër dhe kërkesa për kredi raportohet e ulët, po ashtu dhe bankat po shtrëngojnë kriteret e kredidhënies kryesisht për bizneset, teksa individët kanë rezultuar më korrektë në kthimin e huave.

Në daljet e fundit publike, guvernatori Sejko e ka vënë vazhdimisht theksin në nevojën e kreditimit të ekonomisë si një mjet për rritjen e saj, por gjithashtu ka kërkuar që theksi të vihet te financimi i projekteve cilësore dhe që rrisin konkurrueshmërinë dhe produktivitetin e ekonomisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Do të kemi rritje nominale 6.1%?

“Kurthi” i deflatorit