MENU
klinika

Kundër informalitetit

Denaj-bizneseve: Asistencë në mjediset e ushtrimit të aktivitetit

23.07.2019 - 16:53

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ishte sot në plazhin e Velipojës, në kuadër të Planit Operacional në luftën kundër informalitetit, ku inspektimi u fokusua në biznese që ofrojnë shërbimin e akomodimit.

Administrata Tatimore kishte bllokuar pak ditë më parë një subjekt për shkak se ishte konstatuar i paregjistruar në organet përkatëse. Për të ndihmuar biznesin që të formalizohej, punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesve asistuan në plotësimin e të gjitha procedurave të regjistrimit, në vendin e ushtrimit të aktivitetit.

Ministrja Denaj kërkoi bashkëpunimin e të gjitha institucioneve shtetërore në nivel qendror dhe lokal për të asistuar biznesin të formalizohet dhe bëri me dije se rreth 11 biznese në zonën e Velipojës u zhbllokuan nga Administrata Tatimore, pasi bënë regjistrimin e tyre.

Drejtoria e Hetimit Tatimor Rajoni Verior ka realizuar deri më tani 281 verifikime në vijën bregdetare Velipojë -Shëngjin, gjatë të cilave janë evidentuar 100 raste të paligjshmërisë, ku objekt i kontrollit ka qenë regjistrimi i bizneseve, pajisja me kasa fiskale dhe prerja e kuponit tatimor, lëshimi i faturave dhe deklarimi i punonjësve.

Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ervin Hoxha, theksoi se mes Drejtorive Rajonale Tatimore dhe Drejtorive të Hetimit Tatimor janë hartuar plane operacionale për të forcuar bashkëpunimin dhe koordinuar veprimet mes tyre.

“Qëllimi i dy drejtorive është që të analizojnë subjektet që janë me risk të lartë, të koordinojnë punën midis dy strukturave, të bëjnë kontrolle të thelluara dhe nëpërmjet analizave të riskut të bëjnë vizita fiskale me gjetje të plota. Besojmë se e gjitha kjo do të na japë një rezultat më të mirë dhe më të lartë”, u shpreh z. Hoxha.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë vuri theksin në një bashkëveprim me të mirë ndërinstitucional dhe brenda strukturave të Administratës Tatimore, në mënyrë që të ketë një efektivitet më të lartë në inspektime dhe ndërgjegjësim më të madh të biznesit.

“Bashkëveprimi mes punës së Drejtorive Rajonale dhe Hetimit Tatimor duhet të çojë në efektivitet në inspektime por, mbi të gjitha, drejtoritë rajonale të punojnë përditë me biznesin, në mënyrë që të rritet jo vetëm ndërgjegjësimi, por edhe të evidentohen në kohë shkelësit e ligjit.

Për ne është shumë e rëndësishme që raporti me biznesit të jetë ai i duhuri, të jetë në çdo kohë, jo vetëm në periudhën korrik-gusht, por të jetë gjatë gjithë vitit. Këtë ne do ta sigurojmë jo nëpërmjet inspektimeve, por nga një punë e vazhdueshme e agjentëve tatimorë”, u shpreh Denaj.

Më tej, Ministrja informoi se Plani Operacional kundër informalitetit është i shtrirë në të gjithë Shqipërinë e jo vetëm në zonën e bregdetit, ndërsa janë angazhuar një sërë institucionesh shtetërore.​