MENU
klinika

Deklarata

Lufta kundër informalitetit/ Tatimet: Zero tolerancë!

22.07.2019 - 15:32

“Përsa i përket luftës kundër informalitetit nuk do të ketë aspak tolerancë”, kështu është shprehur përmes një deklarate për mediat Administrata Tatimore.

Sipas tatimeve, lufta kundër informalitetit nuk është një plan i përkohshëm masash, por vullnet i fortë i Qeverisë Shqiptare për të garantuar rregulla të barabarta në treg,për të mbështetur biznesin që i respekton rregullat dhe punon çdo ditë për të siguruar fitime në mënyrë të ndershme.

Sipas njoftimit, asnjë sipërmarrës nuk mundet që të pasurohet duke shkelur ligjet në kurriz të të tjerëve.

Nuk do të ketë më bare, lokale apo hotele që operojnë në treg pa NIPT-e dhe as biznese që raportojnë xhiro sa një ambulant.

Kjo për shkak se bie ndesh me parimet e barazisë në treg, bie në kurriz të qytetarëve që kërkojnë me të drejtë shërbime publike të merituara, sepse ata paguajnë TVSH në çdo blerje që bëjnë, por kjo humbet në xhepat e biznesit që nuk e deklarojnë atë.

Administrata Tatimore dhe Strukturat e Monitorimit në Terren, janë duke zbatuar planin operacional, kundër Informalitetit, i cili do të jetë sistematik, i bashkërenduar edhe me institucione të linjës, të koordinuar nga Ministria e Financave, në të gjithë territorin e vendit. Sipas njoftimit, gjatë periudhës 01-21 Korrik , janë kontrolluar 1,064 subjekte, ndërsa në 367 prej tyre, janë konstatuar shkelje të legjislacionit tatimor. Bilanci i shkeljeve nga kontrollet, sipas DPT është si më poshtë:

– 62 subjekte janë konstatuar të paregjistruara në organet tatimore, për të cilët është marrë masa e bllokimit deri në momentin e regjistrimit të tyre pranë QKB dhe organeve tatimore.
– 53 tatimpagues janë penalizuar pasi janë konstatuar me punonjës të padeklaruar.
– 106 tatimpagues të penalizuar për mos lëshimin e kuponit tatimor (rasti i parë), ndërsa 12 tatimpaguesve u janë bllokuar ambientet për 30 ditë kalendarike për mos lëshim kuponi tatimor
-12 tatimpagues janë konstatuar pa pasjisje fiskale dhe 12 të tjerë nuk i mbanin pajisjet fiskale në gjendje pune dhe 20 tatimpagues janë konstatuar se dispononin mallra pa dokumentacion tatimor.

DPT tha se deri në fund të vitit, do te kontrollohen 6200 subjekte, nga sektorët e evidentuar me risk të lartë si turizmi, ndërtimi, karburantet, të cilët do të kontrollohet, por lufta kundër informalitetit do të përfshijë çdo subjekt, që prish konkurrencën e ndershme në treg.