Prodhimet shqiptare të specit, domates, kastravecit, lakrës e shumë perimeve të tjera, po shohin rritje në eksport drejt shumë shteteve të Bashkimit Evropian.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, gjatë një vizite në një pikë grumbullimi të prodhimeve bujqësore në Lushnje, u shpreh se “ka një prodhim të jashtëzakonshëm”.
“Po shohim statistikat e këtij 6-mujori dhe është fakt që kemi rritje të eksportit të specit, domates, kastravecit, lakrës dhe shumë perimeve të tjera. Rritja mesatarisht shkon deri në 90%. Kemi rritje në vlerë dhe në çmim krahasuar me vitin 2018”, tha ministri Çuçi.
Në gjashtë muajt e parë të këtij viti sektori bujqësor ka njohur një rritje me 24%. Shqipëria vazhdon të jetë një ndër 20 vendet e para në botë për eksport të domates në volum.
Gjatë këtij viti pikat e grumbullimit kanë zgjeruar hartën e tregjeve ku eksportojnë. Përveç vendeve si Italia, Suedia, Anglia, Gjermania, Çekia, Polonia, Bullgaria, Kroacia etj, një pjesë e prodhimeve tona bujqësore shkojnë tashmë edhe në Indi.
Fakt është se deri më tani nuk ka asnjë ngarkesë të kthyer mbrapsht nga vendet ku shkojnë këto prodhime. Kjo dëshmon qartë se prodhimet tona bujqësore janë cilësore dhe konkurrojnë në tregjet e vendeve të Bashkimit Europian.
Rritja e prodhimit bujqësor shqiptar dhe nivelit të eksporteve nuk është e rastësishme. Politikat që janë ndjekur në ndihmë të bujqësisë dhe zhvillimit rural po i japin frytet e tyre. Stimulimi dhe forcimi i pikave të grumbullimit si hallka kyçe mes fermerit dhe tregut po jep rezultate.
Po kështu edhe mbështetja përmes Skemës Kombëtare, Programit IPARD, heqja e TVSH-së për imputet bujqësore, heqja e TVSH-së për makineritë dhe investime të tjera në infrastrukturën ujitëse e kulluese.