Sot (data 31 korrik) është afati i fundit për dorëzimin online të bilanceve.
Por, ndryshe nga vitet e tjera, për ekonomistët e subjekteve ka qenë një sport i vështirë. Mbi 7 mijë subjekte, ose 30% e atyre që duhet të dorëzojnë bilancet, nuk e kanë bërë akoma këtë dhe kanë vetëm një ditë kohë në një sistem që pritet të jetë super i ngarkuar, duke rrezikuar gjobat.
Të gjithë financierëve është dashur që të planifikojnë orë të tëra për të përfunduar këtë proces. Krahas dorëzimit online të pasqyrave financiare, që zgjaste mesatarisht disa minuta, tashmë është shtuar dhe plotësimi i një sërë dokumenteve të tjera, si raporti i ecurisë së aktivitetit të ekonomisë, informacion për aktivet, të ardhurat, numri mesatar i punonjësve, kodin e biznesit.
Të shumtë kanë qenë ekonomistët e subjekteve që janë ankuar përgjatë muajit korrik për vonesat dhe pamundësinë për të ngarkuar pasqyrat financiare.
Nga ana e saj, Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) ka reaguar duke u kujtuar bizneseve se aplikacioni është në funksionalitet të plotë, por për shkak të mbingarkesës së aplikimeve në ditët e fundit të afatit ligjor, aplikimi kërkon më shumë kohë për mbylljen me sukses të depozitimit të pasqyrave financiare.
“Ju informojmë se për të gjitha problematikat e konstatuara nga ana e subjekteve janë vënë në dispozicion adresat e e-mail-it [email protected] dhe [email protected] për adresimin dhe zgjidhjen e incidenteve të natyrës teknike dhe funksionale të aplikacionit, gjithashtu për mënyrën e plotësimit të tabelës excel është i publikuar në faqen zyrtare të internetit të QKB manuali përkatës.
Qendra Kombëtare e Biznesit është e anagazhuar maksimalisht ndaj të gjithë subjekteve për t’i asistuar dhe mbështetur për përmbushjen në kohë të detyrimit ligjor lidhur me depozitimin e pasqyrave financiare, gjithashtu dhe stafi ndihmës i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit është në kontakt me QKB dhe subjektet për çdo ankesë apo problem që lidhet me portalin e-albania”, thotë QKB në njoftimin e saj.
QKB thotë se numri i aplikimeve për bilancet financiare për vitin 2018, deri në këto momente është 17932, shifër kjo që përkthehet në mbi 70% të aplikimeve , duke mbajtur si referencë aplikimet nga vitet pararendëse.
Nga të dhënat e QKB-së rezulton se nga rreth 25 mijë subjekte që duhet të dorëzojnë bilancin, 30% e tyre ose mbi 7 mijë nuk kanë aplikuar ende ose nuk kanë arritur të ngarkojnë bilancet në system.
QKB ka inkurajuar të gjithë subjektet që të aplikojnë deri në datën 31.7.2019 për të shmangur sanksionin administrativ, dhe ka shprehur mbështjetjen maksimale te stafit të QKB për cdo problematikë të adresuar nga ana juaj.
Barra e re e dokumenteve
Ndryshimet në raportim erdhën pas ligjit të ri “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” i cili ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti. Ky ligj ka përcaktuar parimet dhe rregullat e përgjithshme për hartimin dhe përbërësit e pasqyrave financiare, përcaktimin e standardeve kontabël të zbatueshme, si dhe mbajtjen e kontabilitetit.
Por, kjo mënyrë e re raportimi ka rritur ndjeshëm burokracitë dhe kohën që u duhet për të raportuar përfaqësuesve të bizneseve, në linjë krejt të kundërt nga filozofia e deritanishme e qeverisë për të lehtësuar procedurat dhe kohën që u duhet bizneseve për t’u marrë me dokumentet rutinë (psh tatimet raportojnë shpesh që përmes e-albania, bizneset kursejnë kohë dhe burime njerëzore).
Deri vitin e kaluar, bizneset ishin të detyruara që të dorëzonin maksimumi tre dokumente: Pasqyrat financiare vjetore të skanuara ne format PDF; Raportin e auditimit dhe ecurisë së veprimtarisë (kur mbajtja e tyre është e detyrueshme); Vendimin për miratimin e pasqyrave financiare (sipas kërkesave ligjore).
Tashmë bazuar në standardet e reja të raportimit, ata duhet të plotësojnë një sërë tabelash dhe bizneset e mesme duhet të dorëzojnë dhe raporti i ecurisë të veprimtarisë dhe ato të mëdha edhe raportin financiar dhe atë të drejtimit të brendshëm.