Rreth 1400 banorë të 3 fshatrave German, Midh dhe Kodër Cerre në bashkinë e Burrelit do të furnizohen vitin e ardhshëm 24 orë me ujë të pijshëm sipas standardeve më të mira.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit vijon me intensitet të lartë zbatimin e Programit për “Furnizimin me Ujë të Zonave Rurale III” në bashkinë e Burrelit duke i dhënë zgjidhje përfundimtare dhe afatgjatë për furnizimin me ujë në zonat rurale.
FSHZH bën të ditur se aktualisht po punohet për ndërtimin e linjës kryesore, 4.5 km, ndërtimin e linjës së shpërndarjes, 35 km, ndërtimin e 2 rezervuarëve të rinj, rehabilitimin e 1 rezervuari ekzistues, ndërtimin e 3 kaptazhve të reja si dhe instalimin e 211 kasetave të parafabrikuara për 386 matësa uji.
Gjatë 5 viteve të ardhshme në të gjithë vendin do të ndërtohen 20 skema ujësjellësish ruralë, në kuadër të programit “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale III” (FUZR III).
Ky program zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe financohet nga qeveria shqiptare, qeveria gjermane përmes KFW-së, si dhe nga Bashkimi Europian.
Sipas FSHZH-së, programi ka si qëllim kryesor furnizimin e popullsisë në zonat rurale me ujë të pijshëm 24 orë/ditë.
Programi synon të furnizojë popullsinë e zonave të përfshira në program me sasi të mjaftueshme uji të pastër higjienikisht, mbi bazën e mbulimit të shpenzimeve dhe tarifave të pranueshme nga komuniteti.
E gjithë kjo mundësohet përmes ndërhyrjeve në shkallë të mesme dhe të vogël në ndërtimin e sistemeve të furnizimit me ujë.
I ndarë në disa projekte të veçanta ky program përbën një nga iniciativat më serioze të këtyre viteve të fundit për të përmirësuar furnizimin me ujë të pijshëm të zonave rurale.