Prej ditës së sotme hyn në fuqi ligji i ri për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit, i cili ndër të tjera, sjell një forcim të masave kundër duhanpirjes në ambientet e mbyllura.
Kështu, me ligjin e ri, ndalohet konsumimi në ambiente të mbyllura i cigares elektronike, duhanit me ngrohje, shisha/ nargjila.
Ligji gjithashtu forcon masat penalizuese ndaj subjekteve që gjenden në shkelje të ligjit.
Për të gjitha ato subjektet që u shesin duhan, cigare elektronike apo shisha personave nën 18 vjeç, ligji parashikon gjobë prej 100 000 lekësh.
Në rastet kur inspektorët konstatojnë pirje duhani brenda lokaleve, gjoba gjashtë-fishohet, e ndjekur nga pezullimi i licencës së aktivitetit.
Vetë Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, përmes një postimi në twitter, thotë se me këtë ligj, vendosen limite sipas standardeve të BE për përqëndrimin e nikotinës në cigaret elektronike.
Gjatë periudhës përpara se ligji të hynte në fuqi, Ministria e Shëndetësisë zhviloi një fushatë informimi dhe ndërgjegjësimi të qytetarëve mbi ligjin e ri dhe për masat ndaj subjekteve që thyejnë ligjin.