Autoriteti Kombëtar Ushqimor, gjobit me 2.2 milion lekë dhe pezullon aktivitetin e një sipërmarrësi Italian I cili operonte pa licencë prej 7 vitesh dhe ishte burim shqetësimi për komunitetin, bën me dije AKU.
Sipas njoftimit të AKU-së, pas denoncimit nga një grup banorësh në zonën e Kodrës së Diellit, u ushtrua kontroll në subjektin e shtetasit Italian G. R me aktivitet “Tregtim dhe prodhim të produkteve të brumit”. Nga kontrolli u evidentua se subjekti inspektohej për herë të parë (nuk ekzistonte në asnjë regjistër të AKU); aktiviteti zhvillohej përgjithësisht konform me ligjin, si dhe përfundoj me dhënien e masës administrative “Paralajmërim” thuhet në njoftim.
Por nga ri-inspektimi rezultoi se: subjekti ushtronte aktivitetin i papajisur me licencën përkatëse, tregtonte produkte të paetiketuara dhe të pa notifikuara, si dhe nuk zbatonte sistemin e vetëkontrollit shton AKU-ja.
Për shkeljet ligjore të konstatuara, trupat ri-inspektuese vendosën ndaj subjektit: 3 masa administrative “Gjobë” në vlerën totale 2,200,000 lekë, si dhe “Pezullimin e aktivitetit” në mënyrë të menjëhershme, deri në plotësimin e kërkesave ligjore dhe licencimin.
Gjithashtu AKU-ja shton se me qëllim trajtimin rigoroz të shqetësimeve të qytetarëve, por edhe garantimin e një procesi të rregullt administrativ për operatorin e biznesit, të dy praktikat e inspektimit do të jenë objekt hetimi administrativ nga struktura përgjegjëse të Drejtorisë së Përgjithshme të AKU.