MENU
klinika

Kreditë e këqija

Shtatë ndër debitorët më të mëdhenj drejt falimentit

04.08.2019 - 18:35

Nga 35 korporatat e mëdha që zotëronin 65% të kredisë me probleme në vitin 2015, 16 prej tyre tashmë e kanë kaluar një proces ristrukturimi të arritur me marrëveshje dypalëshe ndërmjet bankave.

Ndërkohë, burime nga Banka e Shqipërisë pohojnë se, nga grupi i të 35-ave, 7 korporata nuk e kalojnë procesin e ristrukturimit dhe ndaj tyre do të zbatohet falimenti, ndërsa 9 korporatat e mbetura do të ristrukturohen në vjeshtë nëpërmjet marrëveshjes së re të arritur.

Këto kompani të mëdha, me moskthimin e kredive, po mbajnë peng zhvillimin e ekonomisë dhe janë pjesa më e vështirë e procesit të rregullimit të kredisë së keqe, të shtruar për zgjidhje.

Pas vitit 2015, Banka Botërore, me një projekt të posaçëm mori në skaner një nga një kreditorët e mëdhenj.

Ato u studiuan në mënyrë individuale, ndërsa kanë kredi të pakthyera në disa banka. Për kompanitë pjesërisht të shëndetshme, rekomandohet të gjejnë burime alternative jashtë bankave. Këtu mund të ndërhyjë qeveria për të blerë një pjesë të borxhit ose kolateralit të këtyre korporatave, në mënyrë që atyre t’iu sigurohen likuiditetet e nevojshme për ristrukturimin.

Procedura e falimentimit, e rregulluar nga projektligji i ri, i shtrin efektet e veta mbi çdo debitor qoftë ky individ, tregtar, familje bujqësore, person juridik privat ose publik, fitimprurës ose jofitimprurës që ndjek qëllime ekonomike, shoqëri e thjeshtë, ose njësi administrative vendore.