Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, është ndalur te marrëdhëniet me fqinjët në atë që ai e quajti “përmirësim i imazhit të Greqisë”.
Duke raportuar në Komisionin Parlamentar të politikës së jashtme, Dendias nënvizoi se përmirësimi i mëtejshëm i marrëdhënieve me vendet fqinje renditet i treti në listën e prioriteteve kryesore të politikës së jashtme greke.
Greqia ka marrëdhënie të tensionuara me Turqinë, ndërkohë që prej gati një viti janë pezulluar negociatat me Shqipërinë, që synonin miratimin e një zgjidhje paketë për gjithë problemet e mbartura dhe të krijuara vitet e fundit.
Burime të Ministrisë së Jashtme greke thonë se në axhendën diplomatike të qeverisë së re përfshihet rifillimi së shpejti i negociatave Athinë-Tiranë.
“Ministri e ka studiuar gjithë dosjen përkatëse, po për momentin nuk mund të pritet diçka”, tha burimi, sipas Klan.
I njëjti shtoi në mënyrë enigmatike, se “ndoshta pas muajit tetor do të mund të ketë ndonjë lëvizje”. Por nuk dha ndonjë detaj tjetër.
Edhe pse luftoi me zjarr marrëveshjen e Prespës dhe vazhdon të thotë se ajo ishte një marrëveshje e keqe për Greqinë, Kryeministri Kyriakos Mitsotakis do të takohet në Nju Jork me homologun e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, siç u njoftua të enjten. Një tjetër takim i konfirmuar është ai me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.
Burime qeveritare, të pyetura nga televizioni Klan, thanë se në axhendën e Nju Jorkut nuk ka ndonjë takim të Kryeministrit grek edhe me homologun shqiptar, pa përjashtuar që ky takim të ndodhë.