Qeveria ka shpallur liqenin e Fierzës si zonë bashkëmenaxhuese peshkimi, për të ushtruar aktivitetin e peshkimit.
Sipas vendimit, organizata e menaxhimit të peshkimit, brenda 12 muajve, nga data e shpalljes së kësaj zone, duhet të përgatisë planin e bashkëmenaxhimit për liqenin e Fierzës, që do miratohet nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Veprimtaritë dhe investimet në zonën bashkëmenaxhuese të liqenit të Fierzës duhet të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit dhe për zonat e mbrojtura, si dhe të duhet të mbahet në konsideratë qëllimi parësor i prodhimit të energjisë elektrike.
Kontrata për ushtrimin e aktivitetit të peshkimit, që do të lidhet me Organizatën e Menaxhimit të Peshkimit, dhe plani i bashkëmenaxhimit të peshkimit për këtë zonë do të marrin pëlqimin paraprak nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, (KESH-it).