MENU
klinika

"Nëse vendos të kthehet, i liroj vendin"

Trajneri i Spanjës bën gjestin e madh për Luis Enriquen!

03.09.2019 - 21:22

Luis Enrique u largua në mënyrë të befasishme në muajin qershor nga stoli i Kombëtares Spanjolle, duke deklaruar se bëhej fjalë për shkaqe familjare, ndërsa në vendin e tij në pankinë u ul ndihmësi Roberto Moreno.

Vetëm pak ditë më parë ish trajneri i Spanjës dhe Barcelonës, njoftoi në rrjetet sociale se vajza e tij 9-vjeçare Xana ishte ndarë nga jeta, pasi kishte humbur betejën me një tumor që kishte prekur kockat e trupit të saj.

Pasi të kalojë këtë moment të vështirë tronditjeje, Luis Enrique pritet t’u rikthehet sërish fushave të blerta, për të ushtruar profesionin e trajnerit, dnërsa tekniku aktual i Spanjës ka bërë një gjest për t’u vlerësuar.

Nga grumbullimi i “Furia Roja”, ai deklaroi se është gati të bëjë një hap pas për t’i liruar pankinën Luis Enriques, në rast se ky i fundit dëshiron të kthehet sërish aty ku nisi një projekt të rëndësishëm për ta ngritur Spanjën sërish në majat e botës.

“Është një situatë e sapondodhur dhe nuk besoj se është koha e duhur as për ta menduar rikthimin e tij në pankinë, ndaj është më mirë ta respektojmë. Luis është miku im dhe unë i çmoj shumë miqtë e mi, pasi janë shumë të rëndësishëm në jetë. Nëse do të vendoste të rikthehej, do të isha i pari që do të bëja një hap pas dhe t’i liroja vendin e trajnerit të Kombëtares Spanjolle”, tha Roberto Moreno.