Pas rrugëve, shërbimeve spitalore, aeroporteve e porteve, radha i ka ardhur furnizimit me ujë të pijshëm dhe largimit të ujrave të zeza që të jepen me koncesion.
Qeveria ka gati një draftligj që ndryshon në themel mënyrën sesi funksionon sot sektori i furnizimit me ujë por në një nen të veçantë përfshin edhe mundësinë e kalimit me koncesion apo partneritet publik privat të shërbimeve, sipas Monitor.
Neni 25 i draftligjit “Për sektorin e furnizmit me ujë dhe largimin, grumbullimin e trajtimin e ujrave të ndotura urbane” parashikon se si veprohet në rastet kur shërbimi jepet me PPP.
“Dhënia me koncesion apo me një marrëveshje të partneritit publik-privat e shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm, grumbullimit, largimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura bëhet në përputhje me ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik-privat dhe aktet nënligjore që përcaktojnë kërkesat dhe procedurat përkatëse.
Studimi përkatës i fizibilitetit i kryer nga njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse për dhënien me koncesion ose nëpërmjet një marrëveshje të partneritetit publik privat, miratohet paraprakisht nga ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe nga Enti Rregullator I Ujit (ERRU) brenda 1 muaji nga paraqitja e tij.
Vetëm pas marrjes së miratimit sipas pikës 2 të këtij neni, njësia e qeverisjes vendore vijon me procedurat e parashikuara në ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik- privat” thuhet në draftligj.
I njëjti sanksionon se njësitë e qeverisjes vendore që janë edhe autoritetet menaxhuese të ujësjellësve mund të lidhin marrëveshje mes njëra tjetrën për të garantuar qoftë furnizim të përbashkët ashtu edhe investime të përbashkëta për të përfituar.
Referuar relacionit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë që është edhe pergjegjësja për hartimin nënvizon se ky projekt-ligj sjell një përqasje të re për rritjen e performancës së sektorit, si në drejtim të qëndrueshmerisë financiare ashtu edhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj konsumatoreve nga shoqeritë UK.
“Projekt-ligji siguron vijimin e ndërveprimit të autoriteve të qeverisjes qendrore me ato të qeverisjes vendore për përmirësimin e performancës së shoqërive të UK, si dhe mundëson vazhdimin e iniciativës së ndërmarrë me reformën në sektor me anë të nënshkrimit të Kontratave të Performancës ndërmjet MIE dhe Bashkive përkatëse.
Miratimi i këtij projektligji është një qasje e re për përmirësimin e performancës së sektorit të ujësjellës kanalizimeve që vuan prej dekadash nga problemet financiare dhe cilësia jo e kënaqshme e shërbimeve të ofruara për konsumatorët” thuhet në relacion.