MENU
klinika

Dënimet

Falsifikimi i parave, shtohen masat ndëshkuese

29.10.2019 - 18:03

Vepra penale e falsifikimit të monedhave pritet ti nënshtrohet ndryshimeve, ku do të shtohen masat ndëshkuese.

Sipas zëvendës ministrit të brendshëm, Shqipëria nuk është vend prodhimi i monedhave të falsifikuara por duhen marrë masat për parandalimin e këtij fenomeni.

Kodi penal pritet të pësojë ndryshime me qëllim ashpërsimin e dënimeve për veprën penale të falsifikimit të parave.

Zëvendës ministri i Brendshëm, Julian Hodaj tha se ndryshimi është propozuar nga Prokuroria e Përgjithshme.

“Është një sugjerim vetëm i Prokurorisë së Përgjithshme. Ne po e marrim në konsideratë shumë seriozisht dhe me projektin e ndryshimeve të reja që mund të paraqiten për kodin penal do të shikohet edhe mundësia e paraqitjes së një dispozite specifike.”

Për këtë vepër penale, ligji aktual parashikon deri në 5 vite burg, ndërsa kur kryhet më shumë se një herë apo bashkëpunim, deri në 15 vite.

Sipas Hodaj, në Shqipëri ka patur raste sporadike të falsifikimit të parave, por përjashtohet nga vendet e prodhimit.

“Më së shumti monedha të falsifikuara vijnë nga jashtë edhe për shkak të specifikës dhe teknikës që duhet.”

Shqipëria konsiderohet vend jo prodhues për monedhat e falsifikuara, edhe pse gjatë viteve të fundit janë konstatuar disa raste të kapjes së tyre në treg.

Disa prej këtyre rasteve janë goditur në operacionet e koduar “Monedhë e Garantuar”, “Vjeshta” apo dhe “Parkingu”.