Besoj se, nuk kasnjë kuptim të shajmë e të mallkojnë Francën, siç bëjnë disa. Po duhet thënë, megjithatë, se Franca e Makronit, nuk është Franca e Tajlerandit të Napoleonit, apo një nga ministrat e jashtëm më të mirë të gjitha kohrave, që ka njohur historia. Politikën e jashtme të saj e drejton presidenti dhe epoka e presidentëve të mëdhenj, të tipit De Gol, Miteran, apo Shirak, ka kohë që ka mbaruar, jo vetëm për Francën, po për gjithë Europën a botën mbarë.
Megjithëse konsiderohej pushtues i madh, Napoleoni mburrej duke quajtur veprën e vet, si ëndrrën e tij më të madhe, për të krijuar Shtetet e Bashkuara të Europës. Edhe komunistët e klasit të parë, si Marksi, ia njihnin këtë meritë, kur megjithëse e quanin pushtues, i theksonin rolin se me okupimin e Prusisë, pastroi dhe stallat e saj të mykura nga plehu i të kaluarës.
Disa komentatorë në Perëndim, theksojnë se Makroni i nxori inatin gjermanëve, për punë të një komisionereje që ia refuzuan. Ca të tjerë, mendojnë që e bëri për shkak të refugjatëve shqiptarë, që i rëndojnë pozitën në sytë e të djathtës. E ca të tjerë, mendojnë se, tani që Anglia po del jashtë Europës dhe figura e Merkelit dhe bashkë me të dhe e Gjermanisë së fortë, po zbehet në horizont, duket se Makroni po kërkon rolin e udhëheqësit të ri të saj, apo Napoleonit të vogël, që do të bashkojë Europën, duke realizuar idenë sipas ngjashmërisë po me Napoleonin. Komentet e fundit, i kam ndeshur edhe në editoriale të gazetave më të mëdha të botës.
Natyrisht që nuk ka vlerë krahasimi i Makronit, me një gjeni shumëplanësh si Napoleoni… Qoftë edhe nëse kujtojmë shprehjen e tij të njohur “Luftën e bëjnë paratë”. Apo dhe shprehjen tjetër të Napoleonit, që ia kujtoj ndonjëherë Ramës, për t’i theksuar se në luftën për ndërtimin e Shqipërisë, duhen ftuar shumë njerëz intelektualë dhe akademikë e jo nënpunës partie, apo të panjohur në vepra e në punë.
Për këtë qëllim, Napoleoni thoshte se “Betejat e mëdha i bëjnë batalionet e mëdha”. Dhe besoj, në këtë frazë të njohur, do të duhet t’i bashkojmë opinionet, së pari për Makronin dhe pastaj për Ramën…
Franca nuk ka aq para, sa të bëjë Luftën e madhe në Ballkan e ca më shumë, në Europë. E Rama, nuk ka aq shumë njerëz rrotull vetes, për të krijuar batalionet e mëdha që flet Napoleoni.
Gjermanët e pohuan qartë, se do t’u kërkojnë francezëve, në fund të Dhjetorit të këtij viti, “Planin e Punës” për të parë atë udhëheqjen apo rolin e ri a real, që kërkon. Dhe Merkeli, theksoi qartë, pavarësisht pragmatizmit të saj të njohur, se në pranverë është prapë këtu, për këtë punë…
Vetë, besoj se çelja e negociatave, është punë muajsh në të gjitha rastet. Por, kjo nuk më pengon të mendoj, se mosçelja apo vonimi i tyre, qoftë edhe një ditë të vetme është fatkeqësi e madhe për Shqipërinë.
Dhe kjo, nuk ka lidhje shumë me atë që propagandohet këto kohë, Reforma në drejtësi, apo krijimi i Gjykatës së Lartë apo Kushtetuese etj., etj. Si tifoz i Plakut Balzak, unë besoj fort në thënien e tij se:
Kur qeverisja qendrore është e dobët, atëherë ligjet sado të mira të jenë, vijnë e përthyhen nga qendra në bazë e madje, kthehen shpesh në të kundërtën e drejtimit për të cilin janë krijuar. Dhe në këtë rast, vazhdon Plaku Balzak, të shpëtosh ka vetëm dy mënyra: o të dërgosh ryshfete në qendër, ose të martohesh brenda rrethit të të fortëve në krahinën ku jeton.
Mosçelja e negociatave, duke i vonuar ato qoftë edhe një ditë, është fatkeqësi e madhe për Shqipërinë. Çelja e tyre, do të thotë afrimi i syzeve të burokratit europian, për të parë nga afër lemerinë që i kemi shkaktuar për shumë vite, Shqipërisë. Kjo, jo vetëm në problemin e pronave, atë të Reformës së territorit, apo në shkollimin profesional.
Vetëm një numër dosjesh sa gishtat e duarve, imponojnë Shqipërinë që Strasburgu t’i kërkojë asaj, t’u kthejë pronarëve një shifër të lemerishme, që kalon në dhjetëra milionë euro… Përfytyroni çdo të bëhesh të paguanim rreth 60 mijë e ca dosje…
Çelja e negociatave do të bënte që Europa, të na jepte ndihmën e njerëzve që kuptojnë këtë hall të tmerrshëm, që nuk e zgjidhim dot kurrë, vetëm ne.
Reforma territoriale, që vetëm kur sheh ndërtimet e pafundme që prishin territorin e do na bëjnë në harkun e ndoshta, dhjetë a njëzetë vjetëve, të rindërtojmë gjithçka nga e para, është një tjetër problem i lemerishëm, që vetëm këshillat e urta dhe hyrja drejpërdrejt në lojë e Europës, mund të bëjë që ta zgjidhim ashtu – ashtu…
E më së fundi, por jo nga rëndësia:
Shqipëria, që ndoshta ka arsimin më të keq profesional në botë, nuk ka asnjë mundësi për të thithur investues potencialë edhe sikur t’i fitojë ata, pa u marrë asnjë taksë.
Franca e Napoleonit dhe jo e Makronit, më kujton gjithnjë një pikturë madhështore, ku Perandori, që është kthyer për herë të dytë në pushtet, në atë “100-ditëshin” është fiksuar në shkollën politeknike të Parisit. Kjo, megjithëse koka i zien dhe Europën, që po e ndëshkon, e ka te dera…
Ka shumë arsye të qajmë për vonesën, qoftë edhe një ditë, për çeljen e negociatave. Por, ato nuk kanë aspak lidhje me mallkimin ndaj Makronit. Apo me dëshirën, për të ndërruar kuajt e pushtetit në Tiranë. Ka të bëjë me Shqipërinë që po lëngon 30 vjet dhe megjithëse duket se po zë rrugën e mbarë, ka gjithnjë më afër ferrin se parajsën.