Nën drejtimin e kryetarit, Arben Ametaj, Komisioni për Ekonominë dhe Financat gjatë mbledhjes së sotme shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin teknik 2018 për projektin “Mbështetje për negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në BE në sektorin ekonomik”
E ftuar në këtë mbledhje Belinda Ikonomi, zv.ministre e Financave u shpreh se, “Integrimi Europian është një moment kyç për Shqipërinë. Procesi i integrimit është gjithashtu edhe një çështje teknike. Futja e koncepteve te reja është një element i rëndësishëm dhe administrata shqiptare ka nevojë për këtë.”
Relatorja e këtij projektligji, Reme Lala theksoi se “ Për më shumë se 30 vjet Gjermania ka qenë një nga vendet financuese më të mëdha të vendit tonë. Ky financim e kalon vlerën e 1 miliard lekëve. Vetëm kjo marrëveshje ka një vlerë prej 2 milionë eurosh dhe projekti do të zgjatë 3 vjet.”
Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi gjithashtu edhe projektligjin “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i lumit Lana – zhvillim urban”
Relatorja e këtij projektligji, Evis Kushi tha se do të punohet në rreth 1,8 kilometra të lumit të Lanës në një sipërfaqe prej rreth 110 ha. Sipas Ikonomi nga ky projekt do të preken rreth 288 familje për të cilat Bashkia ka rreth 600 mijë euro buxhet për t’u ardhur në ndihmë. Po gjatë ditës së sotme komisioni shqyrtoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i lumit Lana – zhvillim urban”
Relatori Xhevit Bushaj u shpreh se “vlera e grantit prej 2,4 milionë euro do të sigurohet nga Banka Europiane e Investimeve kurse pjesa tjetër nga fondi i Bashkisë.”
Pas diskutimeve anëtarët e Komisionit për Ekonominë dhe Financat i miratuan të tre projektligjet.