MENU
klinika

Vendimet e reja të qeverisë

Pensionistë! Rregullat ndryshuan!

11.10.2019 - 09:15

Me tre vendime të Këshillit të Ministrave, të miratuara dje, qeveria ka bërë një numër ndryshimesh në rregullat aktuale të përfitimit të pensioneve të pleqërisë apo atyre suplementare.

  • Punonjësit e bujqësisë

Sipas VKM-së së parë, për efekt të përfitimeve për pension, do të njihen si periudha sigurimi të gjitha periudhat nga data 1 tetor 1993 deri në 31 dhjetor 2014, për të cilat nga personat e vetëpunësuar në bujqësi janë paguar kontributet e sigurimit të detyrueshëm shoqëror, sipas procedurave të kohës. Kjo, pavarësisht vendbanimit të tyre sipas regjistrit të gjendjes civile në atë periudhë të mbuluar me sigurim shoqëror. Por ka një kusht: kontributet duhet të jenë paguar deri në datën 31.3.2015.

Në rastet kur paga mujore mbi të cilën paguhen kontributet dhe kontributet janë llogaritur dhe paguar mbi një shumë më të vogël se paga minimale ose kontributi minimal i miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave për vitin përkatës, periudha mujore e sigurimit llogaritet duke vënë në raport pagën ose kontributin e paguar me pagën ose kontributin minimal të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, e shumëzuar me 30.
Nga ky rregull bëjnë përjashtim muajt me pagesë kontributesh jo të plotë, për shkak se personi ka filluar punë ose është larguar nga puna gjatë muajit. Në këtë rast, për efekt të periudhës së sigurimit merren ditët e punuara.

  • Pensioni suplementar

Sigurimin shoqëror suplementar, sipas ligjit, e përfitojnë kategoritë e ushtarakëve të Forcave të Armatosura, punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit Informativ të Shtetit, Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Policisë së Burgjeve, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit e punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë.

Në rregullat e deritanishme, bëhet ndryshimi, që nuk do të kërkohet më prej qytetarit një vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive (Kadastra) nëse ka përfituar ose jo tokë, sipas ligjit nr.7501. Po kështu, nuk do t’i kërkohet as vërtetim nëse ka përfituar tokë sipas akteve të tjera ligjore e nënligjore, vetëm nga personat që janë banorë në fshatra.
Por verifikimin do ta bëjë vetë shteti, duke përjashtuar kategorinë e personave, të cilët kanë përfituar tokë sipas ligjit nr.7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar, dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore dhe ushtrojnë aktivitet si persona të vetëpunësuar në bujqësi.

Për pensionet suplementare do të ndryshojnë edhe mënyra e llogaritjes së kontributeve. Sipas VKM-së së djeshme, pensionet suplemnetare të rillogaritura sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, do të indeksohen dhe masa e pensionit suplementar do të vihet në kufirin deri në 50% të masës së pensionit të caktuar sipas dispozitave të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.