MENU
klinika

9 mujor i fundit

Përkeqësohen eksportet, bien me 2.8%

18.10.2019 - 18:46

Eksportet kanë vijuar me performancën e tyre negative edhe në muajin shtator. Në shtator 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 25 mld lekë, duke u ulur me 5,5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në nëntëmujorin e parë të vitit 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 225 mld lekë, duke u ulur me 2,8 %, krahasuar me një vit më parë. Kjo performancë negative është ndikuar nga tre grupet kryesore “Tekstile dhe këpucë”, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, “Materiale ndërtimi dhe metale”. Grupi ma i madh i eksporteve “Tekstile dhe këpucë”, shënoi rënie të eksporteve me 3%, duke zbritur në 90 miliardë lekë. Euro e dobët, ndryshimi i kërkesave të konsumatorëve për veshje, që po prekin prodhuesit dhe mos mbyllja e kontratave afatgjata, janë arsyet kryesore sipas eksportuesve. Ky grup zinte 40% të totalit të eksporteve.

Ekonomia e vendit "primitive", cili sektor dominon
Eksportet e “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” kanë shënuar rënien më të fortë me 17.2%, në 36 miliardë lekë, të ndikuara nga rënie e prodhimit të energjisë si rrjedhojë e motit të thatë, ndryshe nga viti i kaluar. Ndërsa Bankers, eksportuesi më i madh i naftës pohon se prodhimi dhe eksportet ishin në rritje. Në rënie të fortë ishin dhe “Materiale ndërtimi dhe metale”, me tkurrje 13.2% me bazë vjetore për 9 mujorin, kryesisht nga performanca e dobët e industrisë së çimentos dhe tullave, teksa prodhuesi i çelikut Kurum pohon se ka pasur aktivitet në rritje.
Rritje të lartë shënuan eksportet e “ushqim, pije dhe duhan” me gati 14%, e ndikuar nga një sezon i mirë bujqësor. Ndërsa sektori që po përjeton lulëzim të vërtetë është ai i “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, shitjet jashtë vendit të së cilës u zgjeruan me 31%, në 16 miliardë lekë, por që ende zënë një peshë të ulët në totalin e eksporteve, prej 7.3%. Ndërtimi i disa fabrikave që montojnë sisteme elektrike për automjetet, si Delmon, Forschner, PSZ Albania, po i jep hov këtij sektori. Sipas INSTAT, Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,3 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,3 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,2 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,7 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me +1,3 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +0,6 pikë përqindje.