MENU
klinika

Raporti

Politikat sociale/ KLSH: Jo efektive, të orientuara drejt krimit

19.10.2019 - 16:15

Raporte të ndryshme të institucioneve ndërkombëtare por edhe vendase, shpesh ngrenë shqetësimin e nivelit të varfërisë në Shqipëri, si dhe pamundësinë që kanë familjet shqiptare për të përballuar kostot e jetesës.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditimet e kryera gjatë vitit 2018, ka konstatuar se pavarësisht objektivave të qeverisë për të identifikuar familjet e varfra dhe ekstremist të varfra, kjo nuk ka rezultuar e suksesshme pasi ende mungon përcaktimi i minimumit jetik që bën që studimet dhe politikat e përkujdesit social të mos jenë të duhura.

Minimumi jetik është shuma monetare e një sërë produktesh ushqimore të përshtatshme për të siguruar funksionimin normal të trupit të njeriut dhe ruajtjen e shëndetit, plus një numër minimal artikujsh jo-ushqimorë dhe një numër minimal shërbimesh të nevojshme për të përmbushur nevojat bazë social-kulturore.

Sipas KLSH-së nga pamjaftueshmëria ekonomike, shumë persona mund ti drejtohen rrugëve alternative për të mbijetuar duke stimuluar krimin ekonomik dhe jo vetëm.

Auditimi vazhdon më tej duke theksuar se skema aktuale e Ndihmës Ekonomike, si instrument i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe institucioneve të varësisë për përkujdesjen sociale, nuk është efektive në zbutjen e varfërisë, referuar numrit të familjeve që dalin nga skema për shkak të punësimit dhe përmirësimit të kushteve social-ekonomike të tyre.

Aktualisht në Shqipëri pensioni social është 6 mijë lekë, në të njëjtën vlerë është edhe ndihma ekonomike, ndërsa pensioni minimal shkon në rreth 10 mijë lekë.

Ndërkohë sipas KLSH-së mbështetja e qeverisë me programin e Ndihmës Ekonomike do të ishte efektive nëse kontributi do të vlerësohej paralelisht me nivelin e përgjithshëm të çmimeve, me produktet e shportës së konsumit dhe me studime dinamike për riintegrimin e individëve në shoqëri.