Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit në tremujorin e tretë të vitit, me gjithë përkeqësimin e besimit konsumator dhe atij në sektorin e ndërtimit.
Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, ky tregues u rrit me 3.2 pikë dhe qëndron mbi mesataren e tij afatgjatë. Rritja e tij u mbështet nga një përmirësim i ndjeshëm i besimit sidomos në industri, por edhe në shërbime e në tregti.
Treguesi i besimit në sektorin e industrisë u rrit me 7.3 pikë përqindje, falë përmirësimit të ndjeshëm në balancën e prodhimit dhe atë të kontratave porositëse. Besimi në sektorin e industrisë ndodhet në një moment mjaft të mirë, me rreth 11.4 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve shënoi rritje me 3.8 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë dhe mbetet mbi mesataren historike. Përmirësimi lidhet kryesisht me rritjen e kërkesës me 5.6 pikë përqindje.
Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë u rrit me 1.5 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë. Të dyja balancat formuese të treguesit shënuan rritje, përkatësisht me 2.2 pikë përqindje balanca e pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm dhe me 0.8 pikë përqindje balanca e ecurisë së biznesit.
Ecuri negative gjatë tremujorit të tretë shfaqi treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit, që ra me 4.6 pikë përqindje. Niveli më i ulët i treguesit pasqyroi rënien e aktivitetit ndërtues me 6.3 pikë përqindje dhe kontratave porositëse me 3 pikë përqindje.
Edhe treguesi i besimit konsumator ra lehtë me 0.8 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë, duke qëndruar pothuajse pranë mesatares historike të tij.
Kjo ecuri i atribuohet kryesisht rënies së balancës së blerjeve të mëdha, me 6.5 pikë përqindje më pak.