*Nga Sabina Veizaj
“Shqipëria në kërkim të emigrantëve të huaj për forcë pune. Mund të tingëllojë si një anekdotë, por nuk është e tillë”.
Ky titull do të ishte ndër kryesorët në shumë të përditshme greke një javë më parë.
Mandej shkrimi sqaronte se ky pretendim vjen nga Ministri i Bujqësisë Blendi Çuçi, i cili ka vizituar një fabrikë për trajtimin e bimëve, ku do të shprehte problemin me të cilin përballen bizneset në industrinë e prodhimit për shkak të mungesës së krahut të punës.
“Por do të pyesë dikush me arsye, pasi ka punë, pse shqiptarët nuk shkojnë në punë? Sepse asnjë person ambicioz nuk dëshiron të qëndrojë në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse 60% e qytetarëve të saj dëshirojnë ta lënë atë. Emigrantët e huaj kërkohen në Shqipëri. Ministri i Bujqësisë tha se ka ardhur koha që Shqipëria të hapë tregun e punës për të huajt, pra për emigrantët”, shkruhej në artikullin që i kopjuar fjalë për fjalë bëri xhiron e disa medieve greke, të cilat në të njëjtin artikull citonin edhe ekzistencën e një projektligji të përbashkët të Ministrive të Financave dhe asaj të Brendshme shqiptare.
Mediat greke madje nënvizonin se ky projektligj është subjekt i konsultimit publik e ndër të tjera do të parashikonte rregullimin e lejeve të punës së të huajve.
Po ashtu, projektligji do të synonte t’u jepte emigrantëve të njëjtat përfitime për të punuar në Shqipëri, siç ndodh për qytetarët e BE-së në zonën Shengen; për veten dhe anëtarët e familjes së tyre.
Gazeta “Si” u interesua pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, e cila u përgjigj se nuk ka hartuar asnjë projektligj të tillë dhe nuk ishte në dijeni për ekzistencën e një projketligji që nxiste dhe lehtësonte punësimin e emigrantëve të huaj në Shqipëri.
Gazeta “Si” u interesua edhe pranë Ministrisë së Brendshme. Edhe aty na dhanë të njëjtën përgjigjje; jo vetëm që nuk ishin në dijeni të ekzistencës së një projektligji të tillë, por as që “kanë kompetencë për të hartuar një projektligj të kësaj përmbajtjeje”.
Aktualisht ligji që është në fuqi për nxitjen e punësimit i marsit 2019 citon se, të drejtën e përfitimit të shërbimeve që ofrohen në strukturën rajonale/vendore e kanë të gjithë shtetasit e huaj dhe ata pa shtetësi, të cilët hyjnë e qëndrojnë në mënyrë të ligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, për qëllime punësimi sipas ligjit.
Po ashtu edhe të huajt, të cilët kanë përfituar statusin e refugjatit, si dhe azilkërkuesit në Republikën e Shqipërisë, sipas bazës ligjore në fuqi dhe që shërbimet e punësimit u ofrojnë mundësinë të huajve të pajisen me leje pune sipas ligjit.
20190318131036ligj nr. 15, dt. 13.3.2019
Sipas “Our World in Data”, janë rreth 57 mijë e 616 të huaj që jetojnë në Shqipëri, prej të cilëve 13 mijë janë të pajisur me leje pune.
Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë që prej vitit 2010 numri i të huajve në Shqipëri ka qenë në rritje. Në 2010-ën kishte rreth 52,784 mijë të huaj, ndërsa në 2015-n (viti i fundit me të dhëna të përditësuara) numri i të huajve është rritur me 10%.
Nga ana tjetër, që aspirata e një pjese të mirë të shqiptarëve për t’u larguar jashtë vendit, nuk është një informacion sekret apo i “klasifikuar”; kjo dihet.
Gati një vit më parë një sondazh për Potencialet e Emigrimit i mbështetur nga Fondacioni “Friedrich Ebert” zbuloi se mbi 52 % e popullsisë në grupmoshën 18-40 vjeç aspiron të emigrojnë nga Shqipëria, me një rritje me 8 pikë përqindje në krahasim me 2007-n.
Vrojtimi i profesorëve Gëdeshi-King do të zbulonte trende të reja të emigrimit, ku vala e ikjeve ka përfshirë qytetet me nivel më të lartë jetese. Gjysma e personave që marrin paga nga 1000-1400 euro aspirojnë të largohen. Gjithashtu vrojtimi do të zbulonte se 70% e emigrantëve të rikthyer duan të ikin sërish.
Një studim tjetër i të njëjtit fondacion pak javë më parë do të zbulonte se 40 % e të rinjve dëshirojnë të largohen nga vendi dhe 43 % e atyre që aspirojnë të ikin, duan të qëndrojnë në emigrim përgjithmonë.
Por lëvizshmëria është një fenomen i përbotshëm, përndryshe Kristofor Kolombi nuk do ta kishte zbuluar Amerikën…
Aktualisht Gjermania po vuan për krahë pune dhe Ballkani Perëndimor nga fenomeni i emigrimit të ligjshëm.
Të rinjtë e kualifikuar nga Ballkani Perëndimor edhe për 2018-n kanë regjistruar numrin më të madh të profesionistëve që emigruan drejt Gjermanisë. Shifrat rezultojnë më shqetësuese për Bosnje-Hercegovinën, ku ekspertët paralajmërojnë jo vetëm për “ikjen e trurit” por edhe për rrudhjen e popullsisë.
Sipas Zyrës Federale të Statistikave Gjermane, numri i emigrantëve ekonomikë nga vendet e Ballkanit Perëndimor ka arritur në 66.000 persona në vitin 2018 nga13.000 në 2015-ën.
Një studim i Gallup për ikjen e trurit, tregon se vendet e Ballkanit Perëndimor renditen të parat në Europë. Studimi, i cili është ndjekur në vitet 2015 dhe 2017, përfshin gjysmë milion qytetarë nga 152 shtete.
Ai tregon se 42% e qytetarëve të Kosovës dëshirojnë të largohen nga vendi, duke e renditur Prishtinën të parën në Europë dhe të tretën në botë. Në Shqipëri dhe Bosnje-Herzegovinë 32% qytetarë duan po ashtu të largohen nga vendi për një jetë më të mirë. Kjo renditje ndiqet nga Maqedonia me 30% dhe Serbia me 25%.
Shqipëria parashikohet të jetë vendi që do të ketë tkurrjen më të madhe të popullsisë në botë deri në fund të shekullit. Parashikimi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara tregon se në fund të këtij shekulli, popullsia e Shqipërisë do të rrudhet në vetëm 1 milionë banorë, me një rënie prej 62 për qind krahasuar me shifrën aktuale.
Megjithatë “shqyerja” e dyerve për një zëvendësim të mundshëm të popullsisë dhe krahut të punës, ekspertes së Marrëdhënieve Ndërkombëtare, profesoreshë në Universitetin e Lille në Francë, Enika Abazit i duket një teori konspirative, pasi të dhënat tregojnë sipas saj se zbrazja po ndodh në gjithë Europën Lindore, “madje shifrat janë alarmante më shumë se për cilindo shtet tjetër për Poloninë”.
Por ajo që duhet menduar për profesoreshë Enikën, janë incentivat për të mos vijuar largimi i mëtejshëm i trurit e kryesisht i të rinjve.
“Qeveria atje i ka hequr taksat për të rinjtë deri në 27 vjeç me qëllim që ata të qëndrojnë në vend”, shprehet për Gazetën “Si”, profesoreshë Enika.
Të dhënat e Institutit të Statistikave të Polonisë tregojnë se pas vitit 2004 emigrimi i polakëve është në rritje dhe shifrat janë alarmante. Polakët emigrojnë kryesisht drejt Gjermanisë, Irlandës, Holandës dhe Italisë.
Nga ana tjetër edhe ardhja e të huajve në Poloni është rritur. Në 2016-ën mbi 266.2 mijë të huaj kishin dokumente të vlefshme duke konfirmuar të drejtën e qëndrimit në Poloni. Konsullatat polake lëshuan 1895 viza. 65.8 mijë studentë të huaj rezultonin në Poloni (2016/2017).
(Kamerat e policisë kapin imazhet e emigrantëve të paligjshëm në kufirin e gjelbër Greqi-Shqipëri.)
Përkundër statistikave dhe mendimit të ekspertëve, qëllimi i medieve greke për të përhapur panik për “boshatisjen e Shqipërisë” dhe zëvendësimin e popullsisë me emigrantë pa kritere selektive, vetëm mund të hamendësohet.
Nëpërmjet një shkrimi të “kopsitur” mirë (por fare të pavërtetë) mbi Shqipërinë që qenka krahëhapur për të punësuar emigrantë, “konspiracioni” helen duket të jetë një tërheqje vëmendjeje për të gjithë emigrantët që ajo strehon: “Shkoni urgjent në Shqipërinë që po boshatiset, atje ju japin edhe punë!”.
Hamendësimi merr më shumë kuptim, nëse kemi parasysh një seri faktesh të tjera:
Që prej shtatorit Greqia ka vendosur që të shtojë masat e sigurisë, duke “blinduar” kufijtë dhe duke zhvendosur emigrantët nga kampet që gjenden në ishujt grek në Greqinë kontinentale, në përpjekje për të përballuar valën e re të emigrantëve. Monitorimi i kufijve bëhet në bashkëpunim me agjencinë e Bashkimit Europian, Frontex, por edhe me NATO-n. Ashtu si edhe në Itali, edhe në Greqinë fqinje, emigrantët dhe politikat rreth tyre kanë përbërë gjithnjë bazën e konfrontimeve midis partive më të mëdha të sistemit, duke bërë që emigrantët të shohin me frikë ardhjen e Demokracisë së Re në pushtet.
Më 2015, në Greqi kanë arritur afro një milion refugjatë dhe emigrantë, kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës. Një marrëveshje ndërmjet BE-së dhe Turqisë më 2016 zvogëloi fluksin e emigrantëve, por mbyllja e të gjithë kufijve në Ballkan, bëri që mijëra emigrantë të mbesin në Greqi. Organizatat humanitare kanë kritikuar Greqinë se nuk po bën mjaftueshëm për të përmirësuar kushtet në kampet ku gjenden emigrantët. Vendimi për forcimin e kontrolleve kufitare nga Greqia erdhi në një kohë kur Ballkani Perëndimor është kthyer në një shteg për emigrantët që kërkojnë të hyjnë në vendet e BE-së. Rruga Ballkanike që përdorej nga refugjatët për të arritur në Europën Perëndimore nga Turqia dhe Greqia, ka ndryshuar, duke kaluar nga Shqipëria, Mali i Zi, dhe Bosnja, ku duket se janë mbledhur mijëra emigrantë.
(Emigrantë të paligjshëm në brezin kufitar Shqipëri-Greqi)
Kufiri shqiptar është vetëm një orë larg nga Janina prandaj të gjithë emigrantët që duan të udhëtojnë nga Greqia për në Ballkan, zgjedhin këtë shteg.
Rojet e FRONTEX u vendosën për herë të parë në Shqipëri korrikun e kaluar duke patrulluar tanimë kufijtë me Greqinë, në mënyrë që të parandalonin emigracionin e paligjshëm, por edhe të evidentonin rastet e trafikut të qenieve njerëzore.
Zakonisht emigrantët hyjnë në këmbë nga kufiri grek dhe nëse kapen nga rojet kufitare shqiptare dërgohen me autobus drejt Tiranës, ku pushojnë për disa ditë në qendrën e strehimit të refugjatëve në Babrru dhe se pastaj vazhdojnë udhëtimin drejt Bosnjës apo Malit të Zi.