MENU
klinika

Ja cilat janë më të preferuarat

Shqiptarët rrisin interesin për vendet ekzotike

31.10.2019 - 14:52

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave të nxjerra nga Anketa e Turizmit në Familje, “Pushime dhe Udhëtime”, tregojnë se shqiptarët po preferojnë gjithnjë e më shumë destinacione ekzotike.

Në të dhënat e publikuar nga INSTAT, Tajlanda zë vendin e parë që ka pasur rritjen më të lartë për udhëtimet në vitin 2018.

Sipas të dhënave, në vitin 2018, destinacionet të cilat kanë shënuar rritjen më të madhe të udhëtimeve krahasuar me vitin 2017, brenda vendit janë: Korçë (46,4 %) dhe Tiranë (22,1 %) dhe jashtë vendit :Tajlandë (79,5 %) dhe Dubai (57,1 %).

Destinacionet më të preferuara për udhëtime për qëllime personale apo biznesi në Shqipëri për vitin 2018 janë qarqet: Tiranë (27,1 %), Korçë (12,2 %), Vlorë (11,1 %) dhe Durrës (9,1 %).

Në udhëtimet e kryera jashtë Shqipërie përqindjet më të larta janë regjistruar në shtetet si: Greqi (7,3 %), Itali (4,6 %) dhe Mali i Zi (1,6 %).

“Udhëtimet për qëllime personale përbëjnë 95,6 % të udhëtimeve gjithsej, ndërsa udhëtimet për qëllime biznesi 4,4 % të tyre. Mesatarisht në vitin 2018 një individ në Shqipëri ka kryer 1,9 udhëtime. Përqendrimet më të larta të udhëtimeve të kryera janë regjistruar në muajt: Janar (12,0 %), Mars (11,2 %), Qershor (8,7 %), Korrik (8,8 %), Gusht (12,1 %) dhe Dhjetor (7,4 %). Udhëtime të cilat kanë si muaj nisje Nëntor/Dhjetor 2017 përbëjnë 0,2 % të udhëtimeve “ vlerëson INSTAT.

 

Udhëtimet sipas qëllimit

“Shpërndarja e udhëtimeve sipas qëllimit, për periudhën 2017-2018, ndjek të njëjtin trend me numrin e udhëtimeve. Në vitin 2018, janë regjistruar 0,7 % më pak udhëtime në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj krahasuar me vitin 2017, rënie e cila ka ardhur si rezultat i uljes së udhëtimeve të kryera për qëllime biznesi në Shqipëri. Në 2018, udhëtimet e kryera në Shqipëri për “Pushime dhe kohë të lirë” janë rritur me 7,5 pikë përqindje, ndjekur nga kategoria “Vizita tek të afërm dhe miq” me 3,1 pikë përqindje.

Udhëtimet për qëllime personale sipas netëve të qëndrimit

Udhëtimet e kryera për qëllime personale sipas netëve të qëndrimit në vitin 2018 janë rritur me 6,1 pikë përqindje krahasuar me vitin 2017. Në vitin 2018, numri mesatar i netëve të qëndrimit për udhëtime të kryera është 5.2 netë. Udhëtimet për qëllime personale të kryera me një kohëzgjatje prej 11-18 netë janë rritur me 11,2 pikë përqindje krahasuar me të njëjtin interval kohëzgjatjeje të një viti më parë. Përgjatë vitit 2018, tremujori i cili ka pësuar rritje për të gjitha kategoritë e netëve të qëndrimit është tremujori i dytë.

 

Udhëtimet sipas llojit të akomodimit

Lloji më i shpeshtë i akomodimit në të dy vitet është “të qëndruarit tek të afërmit apo miqtë”, ndjekur nga kategoria “hotel” dhe “shtëpi ose apartamente të dyta për pushime” apo “ambjente akomodimi me qira”. Në vitin 2018 vërehet rritje për kategorinë “hotel” prej 7,0 pikë përqindje, dhe 1,1 pikë përqindje për kategorinë “shtëpi ose apartamente të dyta për pushime”. Ndërkohë ulja më e madhe është regjistruar për kategorinë “ambiente akomodimi me qira” me 5,1 pikë përqindje” thuhet në anketën e INSTAT.

Anketa e Turizmit në Familje, “Pushime dhe Udhëtime” është një vrojtim statistikor që kryhet pranë njësive ekonomike familjare (NjEF) dhe ka objekt të gjithë individët me vendbanim të zakonshëm në Shqipëri mbi 15 vjeç. Anketa mbledh të dhëna mbi udhëtimet me të paktën një natë fjetjeje për pushime, udhëtime pune dhe udhëtime të tjera, si brenda dhe jashtë vendit, gjithashtu edhe ato brenda ditës brenda/ jashtë vendit të ndarë në katër tremujorë përkatësisht: Tremujori i parë (Janar-Mars), tremujori i dytë (Prill-Qershor), tremujori i tretë (Korrik-Shtator), tremujori i katërt (Tetor-Dhjetor). Anketa e Turizmit në Familje, “Pushime dhe Udhëtime” u krye për herë të parë në vitin 2017 përgjatë gjithë vitit me një kampion përfaqësues për të gjithë Shqipërinë.