Numri i aplikimeve online për përzgjedhjen e targave të serive të veçanta arrin në 1 400.
Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor informoi se deri tani janë dhënë 1400 targa me përzgjedhje, porositur online nga qytetarët në faqen zyrtare të DPSHTRR.
DPSHTRR furnizon periodikisht sistemin online me targa të veçanta. Furnizimi i 10-të, ofron 249 copë për automjete me seritë nga AA001ZF – AA999ZL.
DPSHTRR, në kuadër të luftës kundër informalitetit, që nga muaji prill sjell sistemin e rezervimit online për targat e serive të veçanta.
Për automjetet ofrohen dy kategori të ndryshme targash të veçanta. Kategoria e parë përfshin të gjitha targat, tre numërorët e të cilave janë të njëjtë, pavarësisht nga çifti i shkronjave para dhe pas tyre, si edhe dy tre numërorët 001 dhe 007 që kanë kërkesa më të larta.
Tarifa është 30 mijë lekë, plus tarifat standarde të shërbimit të regjistrimit të automjetit.
Kategoria e dytë përfshin të gjitha targat, tre numërorët e të cilave fillojnë ose mbarojnë me dy (2) zero, ose dy numrat anësorë janë njësoj dhe zero në mes, pavarësisht nga çifti i shkronjave para dhe pas tyre (përveç 001 dhe 007). Tarifa është 20 mijë lekë, plus tarifat standarde të shërbimit të regjistrimit të automjetit.
Kategoria për motomjetet përfshin të gjitha targat, tre numërorët e të cilave janë të njëjtë, pavarësisht nga çifti i shkronjave para dhe pas tyre. Tarifa është 10 mijë lekë, plus tarifat standarde të shërbimit të regjistrimit të motomjetit.
Për të përfituar një targë të veçantë, qytetarët ose subjektet duhet të kryejnë regjistrimin online nëpërmjet këtij sistemi, duke paraqitur të dhënat e kërkuara të mjetit dhe ato personale/të subjektit të sakta, sipas kartës së tyre të identitetit/niptit të aktivitetit