MENU
klinika

Certifikohen mbi 1 mijë pika karburanti

Tatimet: Kontroll konsumatorëve të mëdhenj

06.10.2019 - 14:12

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, përmbyllën inspektimin e subjekteve të tregtimit të hidrokarbureve në të gjithë vendin, për të certifikuar regjimin e tyre automatik.

Në zbatim të Planit Operacional Stop Informalitetit, përgjatë muajve gusht dhe shtator u realizua kontrolli dhe vendosja e regjimit automatik në të 1,117 subjektet që tregtojnë hidrokarbure dhe gaz të lëngshëm në të gjithë Shqipërinë. Në të gjitha këto subjekte janë vendosur 2,176 rregjime automatike të instrumentave matës, ligjërisht të kontrolluar, ndërsa u konstatuan 15 shkelje të legjislacionit tatimor.

“Kemi mbuluar me kontrolle të gjithë territorin e vendit, duke siguruar që pompat të jenë në regjim automatik, duke certifikuar me plumbçe, secilën prej tyre.” – tha Drejtoresha e Përgjithshme e DPT, Delina Ibrahimaj, ndërsa ndoqi nga afër njërin prej inspektimeve, në Tiranë dhe siguroi se kontrollet do të vazhdojnë, në bashkëpunim edhe me DPM, për të monitoruar respektimin e ligjit edhe tek subjektet që janë konsumatorë të mëdhenj të karburantit.

Ky proces i çertifikimit të regjimit automatik në tregtimin e hidrokarbureve, është në vazhdën e Planit të gjerë operacional kundër informalitetit, i cili përgjatë gjithë muajit gusht dhe shtator u fokusua tek karburantet, për të garantuar respektimin e rregullit “Pa kupon s’ka karburant”, për të 1,117 operatorët në këtë sektor, duke nisur nga më të mëdhenjtë, deri tek më të vegjlit.

DPT do të vijojë kontrollin në subjektet, që janë konsumatorët më të mëdhenj të karburantit, për të garantuar ligjshmërinë e veprimeve të tyre, si edhe rikontroll në subjektet e certifikuara tashmë ligjërisht në regjim manual.

DPT fton subjektet të vetëdeklarohen në përmbushje, ndërsa respektimi i ligjit mbetet detyrim për të gjithë.