Ministria e Financave dhe Ekonomisë po harton një strategji për zhvillimin e arsimit profesional, e cila do të marrë në konsideratë përvojën gjermane, ku do të gërshetohet teoria me praktikën.
Ministrja Anila Denaj gjatë një aktivitet të zhvilluar në kuadër të Tetorit Gjerman deklaroi se qeveria gjermane ka mbështetur me projekte të ndryshme zhvillimin e arsimit profesional në vendin tonë.
Ministrja shprehu falënderimet e saj për këtë mbështetje dhe pohoi se në drejtim të arsimit profesional ka ende shumë për të bërë.
Denaj informoi se MFE është duke punuar mbi një strategji, e cila do të fokusohet në një përshtatje më të madhe të punësimit me arsimin profesional, si dhe për një qasje tjetër në dëgjimin e zërit të biznesit lidhur me arsimin profesional.
“Investimi në shkollat profesionale është i larmishëm dhe ka nisur prej kohësh. Sot jemi të kënaqur që për katër vitet e fundit shohim një rritje të nxënësve në shkollat e arsimit profesional. Janë pothuajse 20 mijë që adresuan formimin e tyre në shkollat profesionale, nga 14 mijë që ishin katër vite më pare”, informoi Denaj.
“Kemi punë për të bërë”, shtoi Denaj, si në aspekt të kurikulave, për të përmirësuar cilësinë e tyre dhe gjetjen e atyre cilësive profesionale që i vlejnë tregut të punës, ashtu edhe infrastrukturës, në mënyrë që shkollat të jenë të përshtatshme.
“Në arsimin profesional vetëm teoria nuk mjafton. Gërshetimi i teorisë me praktikën është shumë i rëndësishëm. I mësuari paralelisht, në stilin gjerman, është apo aq i vyer, sepse e kanë treguar me vepra që është i duhuri”, u shpreh ministrja.
Sot në të gjithë vendin numërohen 35 shkolla të arsimit profesional.