Muaji shtator rezulton se ka qenë pozitiv për sistemin bankar. Si depozitat ashtu dhe kreditë kanë rezultuar në rritje.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë dhënë për biznesin dhe individët arriti në 565.6 miliardë lekë në fund të muajit shtator, me një rritje prej 0.9% në krahasim me muajin e mëparshëm. Zgjerimi i kreditimit në shtator ka ardhur nga kredia për korporatat, kryesisht ajo në lekë (+1.7% me bazë mujore), por dhe valuta ka pasur tendencë pozitive (+0.5%).
Në rritje ishte dhe huadhënia për individët, që erdhi tërësisht nga leku (+1% me bazë mujore), ndërsa valuta duket e papreferuar për individët edhe për faktin se bankat përgjithësisht i rekomandojnë individët që të marrin huanë në monedhën që kanë të ardhurat.
Me bazë vjetore (shtator 2019/shtator 2018) kredia për ekonominë është rritur me 5.7%, që vjen pas një performancë negative të dy viteve të fundit. Rritja është ndikuar si nga bizneset ashtu dhe nga individët.
Më bazë vjetore (shtator 2019/shtator 2018) depozitat në sistemin bankar janë rritur me 2.6%, e ndikuar pothuajse e gjitha nga kursimet në valutë, kryesisht euro.
Individët nga ana e tyre vijojnë të ulin kursimet me afat në lekë, për shkak të normave të pafavorshme të interesit. Stoku i depozitave me afat të individëve në shtator 2019 shënoi një rënie prej 7.1% në raport me shtatorin e një viti më parë, duke përbërë vetëm 22% të depozitave gjithsej, nga 40% që ishte kjo peshë në janar 2013.
Pesha e depozitave në valutë, në shtator 2019 ishte gati 55%, nga 48.7% në janar 2013, duke treguar qartë për një preferencë të kursimeve në valutë, ku mbizotëron euro.