MENU
klinika

Propozimet e tjera problematike

Anëtarësimi në BE është e vetmja mundësi!

15.11.2019 - 15:52

Ajo që shumë nga Ballkani Perëndimor kishin frikë ndodhi muajin e kaluar. Franca, e mbështetur në heshtje nga Holanda dhe Danimarka, vuri veton ndaj bisedimeve të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Tani, po qarkullojnë ide për zëvendësimin e perspektivave të anëtarësimit me procese alternative. Propozime të tilla janë po aq problematike sa refuzimi për zgjerimin e BE-së. Ato duhet të refuzohen.

Refuzimi i Francës për të lejuar që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të fillojnë bisedimet për t’u bashkuar me BE-në, tronditi rajonin. Në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Zoran Zaev kishte bërë bast se ata do të nisnin bisedimet e pranimit, kur ai nënshkroi marrëveshjen për emrin e vendit të tij me Greqinë. Pas vetos së Francës, ai thirri zgjedhje të parakohshme për prillin e vitit të ardhshëm.

Presidenti Aleksandar Vucic i Serbisë, shprehu dyshimin e tij se lëvizja e Francës ishte një sinjal për të gjithë rajonin se nuk ka plane për anëtarësim në të ardhmen e parashikueshme. Ai e shfrytëzoi rastin për të bërë biznes me lojtarë të tjerë të huaj.

Në fund të tetorit, Serbia vazhdoi me vendimin e saj dhe nënshkroi një marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Ekonomik Eurazian të udhëhequr nga Rusia.

Rusia dhe Kina duket se janë të gatshme të shfrytëzojnë hezitimin e Brukselit. Kjo është një pengesë që dëmton besueshmërinë e BE në rajon.

Kina duket e etur të vazhdojë të rrisë praninë e saj në Ballkan përmes investimeve ekonomike. Rusia, nga ana tjetër, përdori ngurrimin e BE-së për të ftuar me ironi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Bashkimin e saj Ekonomik Euroazian.

Në një marifet teatral, më shumë se një propozim kuptimplotë, përfaqësuesi rus në BE la të nënkuptohej se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të gjenin më shumë mirëkuptim me Moskën sesa me Brukselin.

Ideja se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor do të ishte brenda BE ka qenë shtylla e politikës së Brukselit që nga samiti i BE-së në 2003 i Ballkanit Perëndimor në Greqi. Në atë kohë, dhe ende tani, Ballkani Perëndimor përballet me sfida të konsiderueshme, korrupsionin, demokratizimin dhe zhvillimin ekonomik. Premtimet dhe parimet e deklaruara gjatë samitit të vitit 2003 kanë qenë mjetet kryesore të rajonit.

Vetoja e Francës për bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut shtron shumë pyetje. Cilat ishin pritshmëritë e Presidentit Emmanuel Macron? Çfarë dëshironte të arrinte përmes një qëndrimi të kundërshtuar me forcë nga pothuajse të gjitha shtetet e tjera anëtare? A nuk i parashikoi ai implikimet e vendimit që Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker e quajti një “gabim të rëndë historik”?

Presidenti Macron dhe përfaqësuesit e tjerë francezë kanë bërë thirrje për reforma në BE, përfshirë transformimin e procesit të pranimit, përpara se të vazhdojnë me zgjerimin.

Por shumë kanë frikë se Franca dëshiron të ndalojë përfundimisht zgjerimin.

Disa raporte të fundit tregojnë që Franca po shqyrtonte idenë për të zëvendësuar anëtarësimin e plotë me një “partneritet të veçantë” midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Si kompensim, vendet do të merrnin mbështetje financiare, qasje në tregjet evropiane dhe përfitime të tjera.

Ambasadori Francez në Serbi, Jean Louis Falconi, mohoi këtë partneritet alternativ të privilegjuar dhe deklaroi se Franca është ende e përkushtuar për anëtarësimin e plotë për Ballkanin Perëndimor.

Ideja për të përjashtuar Ballkanin Perëndimor nuk është e re, por duket se po fiton mbështetje. Këto zhvillime janë arsye për tu shqetësuar.

Ballkani e ka konsideruar Bashkimin Europian, rojektin më demokratik dhe transformues të historisë moderne. Ajo ka shërbyer si frymëzim për shumë njerëz që përjetuan disa dekada shtypje nën sundimin komunist dhe konfliktet tragjike etno-nacionaliste të viteve 1990.

Kushdo që e sheh rajonin si një shtojcë sesa një pjesë integrale të Evropës, duhet të kujtojë fjalët e mençura të kancelare gjermane Angela Merkel: “Nëse i shikoni gjërat nga ana gjeostrategjike dhe gjithashtu shikoni hartën, atëherë do të ketë vetëm një Evropë të bashkuar me të vërtetë, me shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

Akri Çipa, i diplomuar në Universitetin e Columbias. Ekspert i politikës së jashtme nga Tirana, Shqipëria, i cili shkruan për çështjet e Ballkanit dhe Evropës.

Përkthyer dhe përshtatur nga The Globe Post/ konica.al