Në lidhje me situatën në zonën e Astriti, ka reaguar edhe Avokati i Popullit, i cili thotë se prej një muaji ka dërguar në Kuvend një raport të veçantë mbi çështjen e Astirit dhe ende është në pritje të përgjigjes.
Institucioni i Avokatit të Popullit bën thirrje për vetëpërmbajtje, maturi, si dhe për garantimin e plotë të të drejtës së Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut për të kryer detyrën e tyre.
Gjithashtu, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen e autoriteteve shtetërore që të mënjanojnë konfliktin me qytetarët.
“Të mos zbatojnë politikën e faktit të kryer e të mos e tejkalojnë me anë të zellit të pajustifikuar detyrën e tyre, sidomos në kushtet kur çështja për të cilën ka lindur ky konflikt nuk është sqaruar.
Respektimi i të drejtës qoftë edhe të një qytetari të vetëm duhet të jetë në bazamentin e një shteti demokratik pasi nuk mund të ketë interes madhor e të mirë kolektive, të themeluar mbi dhunimin e dikujt tjetër”, thuhet në reagim.
Gjithashtu, Institucioni i Avokatit të Popullit u bën thirrjen autoriteteve të tjera vendase dhe ndërkombëtare që të ndërhyjnë sa më parë për qetësimin e situatës.