MENU
klinika

'Paralizohet' taksa e pasurisë

Bashkitë ‘kokëfortë’ në mbledhjen e të ardhurave

23.11.2019 - 14:50

Pavarësisht periudhës së tranzicionit, para dhe pas zgjedhore, 61 bashkitë në vend janë treguar agresive në mbledhjen e të ardhurave.

Referuar treguesve fiskalë të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për periudhën Janar-Tetor 2019, vendorët kanë mbledhur afro 20.8 miliardë lekë të ardhura, apo 3.5 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një vitit më parë, duke tejkaluar edhe planin total të 2018-ës.

Kontributin më të madh në të ardhurat vendore, e japin taksat lokale me afro 16 miliardë lekë në 10 mujor, të cilat mbajnë edhe flamurin e rritjes së të ardhurave totale, pasi krahasuar me një vit më parë, nga taksat lokale janë mbledhur 3.5 miliardë lekë më shumë.

Sa i takon të ardhurave nga taksa mbi pasurinë, të cilat kishin pritshmëri në rritje, për shkak edhe të hyrjes në fuqi të formulës së re të llogaritjes, të dhënat tregojnë se kjo iniciativë deri më tani është e dështuar, pasi jo vetëm që nuk ka rritje, por ka një rënie të lehtë në të ardhura, krahasuar me një vit më parë.

Nga taksa e pasurisë janë mbledhur 4.5 miliardë lekë. Ndërkaq, të ardhurat nga taksa mbi biznesin e vogël, të cilat kanë edhe ndikimin më minimal në totalin e tyre, kanë një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2018, duke u regjistruar në 339 milionë lekë.