Borxhi publik vijon trajektoren rënëse dhe në fund të këtij viti ministria e Financave parashikon që ai të shkojë në 64% e Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 71.9% që ishte në 2013.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi një javë më parë teksa prezantoi Aktin Normativ për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2019 se konsolidimi fiskal ka dhënë efektet e tij edhe për vitin 2019, ku pritshmëria e defiçitit buxhetor mbetet nën 2% nga 5% e PBB-së në vitin 2013.
“Në vitet e fundit borxhi publik neto është reduktuar nga niveli më i lartë prej 71.9% i PBB-së i regjistruar në vitin 2013, në rreth 64% i pritshëm për vitin 2019”, tha Denaj.
Ndërkohë, shërbimi i borxhit nuk është rënduar duke vijuar të mbetet në normalitet. Madje sa i takon pjesës së shpenzimeve për interesa, kjo tashmë qëndron në nivelet më të ulëta historike.
Referuar të dhënave, shpenzimet për interesa në vitin 2013 ishin 3.2% e PBB-së, ndërsa për vitin 2019 janë rreth 2.1% e PBB-së, pra rreth 1.1% më pak, ose rreth 18 miliard lekë më pak.
Dhe kjo llogaritet si kursim vjetor, pra në çdo vit buxhetor kursehet nga shpenzimet për interesa rreth 18 miliard lekë, krahasuar nëse niveli i tyre në raport me PBB-në do të ishte ai që ishte në vitin 2013.
Ministria e Financave në vitin 2020, parashikon që përveç ri pagesave tipike të principalit të borxhit të huaj, të bëhet edhe shlyerja e pjesës së mbetur së eurobondit të emetuar në vitin 2015, prej 250 milion euro ose rreth 30.8 miliard lekë, e cila do të maturohet në nëntor të vitit që vjen.
Ndërsa pjesa tjetër e ripagesave prej 35.6 miliardë lekësh, janë ripagesa për stokun e borxhit të huaj i marrë në vite, kryesisht hua koncesionare, sipas skedulit të shlyerjes / maturimit që këto kredi kanë.