Sot është data e fundit e parashikuar që banorët e Unazës së Re të lirojnë banesat e tyre.
Bëhet me dije se sot nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), është parashikuar që të shemben 8 banesa që janë në vijën e projektit të Unazës së Re.
Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit banorët kanë dalë në protestë ku me vete kanë marrë hunj dhe mjete të tjera bujqësore si sfurk që shërbejnë për mbledhjen e barit.
Nga ana e tyre banorët kanë paralajmëruar edhe përplasje me policinë nëse tentohet që të prishen banesat e tyre.
Në mbështetje të tyre ka qenë edhe ish-deputeti demokrat Klevis Balliu i cili është shprehur se banorët duan dialog për t’i dhënë zgjidhe çështjes.
Punonjësit e IKMT-së kanë qenë të enjten pranë Unazës së Re për të bërë njoftimin e përfundimit të afatit, për lirimin e banesave.
Ndërkohë një grup banorësh, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur me gurë e sende të forta,punonjësit e IKMT-së, ku për pasojë mbetën të plagosur 4 prej tyre dhe 1 punonjës i Policisë, gjithashtu, u dëmtua edhe një automjet i uniformave blu.