Duket se protestës 1 vjecare në Astir i erdhi fundi.
Prej mëngjesit të sotëm gjendja është rënduar.
IKMT, ashtu siç kishte njoftuar më parë, nisi mëngjesin e kësaj të marte prishjen e objekteve në zonën e “Astirit” që preken nga ndërtimi i Unazës së Re.
Gjatë nisjes së prishjes së objekteve, pati incidente mes banorëve dhe forcave të Policisë, të cilët kishin shkuar në mbështetje të IKMT.
Policia e Shtetit njofton se gjatë ndërhyrjes, një grup banorësh kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e IKMT-së dhe punonjësit e Policisë.
Policia sqaron se banorët kanë sulmuar me gurë, sende të forta dhe bomba moltov punonjësit e Policisë, të cilit ishin planizuar me shërbim.
Si pasojë e sulmit mbi Policinë janë plagosur 5 efektivë nga FNSH-ja, Shqiponjat dhe Patrullat e Përgjithshme, të cilët u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin ushtarak.
Gjithashtu edhe 8 banorë janë lënduar e po marrin ndihmë mjekësore jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që janë prezent tek Unaza e Re, të mos nxisin banorët për të sulmuar forcat e Policisë dhe të shmangin deklaratat disinformuese.
Policia Rrugore e Tiranës ka bllokuar përkohësisht lëvizjen në të dy krahët e Unazës së Re, deri në përfundim të aksionit të IKMT-së për shembjen e disa objekteve, që do t’i hapin rrugë projektit të ri.