60 kompani serbe ishin të përfaqësuara në Forumin Shqipëri-Serbi të organizuar në kuadër të Panairit të 26 Ndërkombëtar të Biznesit në Tiranë.
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve në rolin e koordinatores së Rrjetit Europian të Ndërmarrjeve mundësoi pjesëmarrjen e këtyre kompanive me qëllim lidhjen e marrëveshjeve të mundshme multilaterale për tregti mallrash në sektorë të ndryshëm si industria, tekstilet, bujqësia, etj.
Lorina Salaj, nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, u shpreh në lidhje me forumin e biznesit Shqipëri-Serbi, se takimi mbahet jo vetëm në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, por edhe në kuadër të Rrjetit Europian të Ndërmarrjeve ose IEN.
“Rrjeti ka si synim kryesor tërheqjen e kompanive të huaja dhe gjetjen e partnerëve ndërkombëtarë për kompanitë shqiptare. Sot kemi mbi 60 kompani serbe të cilat kanë ardhur dhe janë të interesuara të takojnë partnerët shqiptarë”– tha ajo.
Salaj shprehet se edhe nga pala shqiptare marrin pjesë 50-60 kompani, të cilat kanë shprehur interesin e tyre për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje.
Sektorët kryesorë që përfshin kjo ngjarje janë tekstile, paketim, sektori automativ, agrobiznes, plastika.
Kurse Diana Jeremiç, nga Dhoma e Tregtisë së Serbisë, thotë se është hera e saj e parë në Tiranë për atë personalisht dhe për sipërmarrësit dhe aktivitetet ekonomike që përfaqëson.
“Ky është një organizim serioz dhe shumë i rëndësishëm për bizneset serbe. Ne shpresojmë që gjatë bisedimeve të gjejmë partnerë të mundshëm”– theksoi ajo.
Për Jeremiç ky është një rast shumë i mirë për të realizuar dhe nxitur bashkëpunime të rëndësishme në sektorë të ndryshëm të sipërmarrjes.