Puna e tregjeve të kapitalit është të përpunojë informacionin në mënyrë që kursimet të shkojnë drejt projekteve dhe firmave më të mira.
Në pamje të parë, kjo e bën financimin e niveleve të lartë të duket i thjeshtë, por në të vërtetë, ai është shumë dinamik dhe, mbi të gjitha, i komplikuar, shkruan Monitor.
Ai pasqyron një botë në ndryshim. Tregjet e sotme, për shembull, po përballen me luftën tregtare dhe me normat e ulëta të interesit. Por ai pasqyron edhe ndryshime brenda financave, të cilat vazhdimisht e rikrijojnë veten në një luftë të përhershme për të fituar një avantazh konkurrues. Ashtu siç përshkruhet edhe në këtë artikull, revolucioni i fundit është në nivelin më të lartë. Makineritë kanë marrë kontrollin mbi investimin, dhe jo vetëm sa i takon blerjes dhe shitjes së letrave me vlerë, por edhe kontrollin në nivele më të larta, në atë të monitorimit të ekonomisë dhe ndarjes së kapitalit.
Fondet që drejtohen nga kompjuterët, që ndjekin rregullat e vendosura nga njerëzit, përbëjnë 35% të tregjeve të aksioneve të Amerikës, 60% të aseteve të kapitalit institucional dhe 60% të veprimtarisë tregtare. Programet e reja të Inteligjencës Artificiale po i përcaktojnë vetë rregullat e tyre të investimit, në mënyrë që njerëzit t’i kuptojnë ato vetëm pjesërisht. Industritë e ndryshme, duke filluar që nga ato të shpërndarjes së picave e deri tek Hollywood-i, po ndryshohen nga teknologjia, por financat janë unike sepse ato mund të ushtrojnë fuqinë e votimit mbi firmat, të rishpërndajnë pasurinë dhe të shkaktojnë një kaos të vërtetë në ekonomi.
Për shkak se ato merren me shuma të mëdha, financat gjithmonë kanë pasur para për të arritur suksese që në vitet e hershme. Kështu, për shembull, kablloja e parë transatlantike, e cila përfundoi në vitin 1866, e cila lidhi Liverpool-in me Nju Jorkun. Analistët e Wall Street i kushtuan rëndësi të madhe programeve si excel-i që në fillim të viteve 1980, dhe që prej asaj periudhe, kompjuterët kanë pushtuar industrinë financiare. Një ndër proceset e para që u ekzekutua ishte ai i urdhrave për blerje dhe shitje. Nëse do të vizitoni një institucion tregtar sot, ajo që do të dëgjoni do të jetë zhurma e serverëve dhe jo zhurma e tregtarëve.
Tregtia me frekuencë të lartë përfiton nga ndryshimet e vogla në çmimin e letrave me vlerë, duke përdorur një mori transaksionesh. Në dekadën e kaluar, kompjuterët kanë drejtuar edhe portofolat. Fondet e investimeve të tregtueshme në bursa (ETFs) dhe fondet e ndërsjella ndjekin automatikisht indekset e aksioneve dhe të bonove. Muajin e kaluar, këto mjete investuan 4.3 trilionë dollarë në kapitalin amerikan, duke tejkaluar shumat e drejtuara në mënyrë aktive për herë të parë nga njerëzit.
Sa më shumë kalon koha, aq më shumë kompjuterët po fitojnë autonominë. Programet softuerikë, që përdorin Inteligjencën Artificiale, po krijojnë strategjitë e tyre pa pasur nevojë për drejtimin e njerëzve. Shumë njerëz janë skeptikë në drejtim të Inteligjencës Artificiale por rritja e fuqisë përpunuese ndikon edhe në rritjen e aftësive të saj. Dhe nëse do të marrin në konsideratë rrjedhjen e informacionit nëpërmjet kompjuterëve, ajo nuk mund të krahasohet me informacionin që marrin menaxherët e fondeve, të cilët duhet të lexojnë raporte dhe të takojnë firmat të ndryshme duke u bazuar në rregullat strikte të tregtimit të brendshëm dhe të ruajtjes së informacionit.
Këto janë krijuar për të kontrolluar atë që është në domenin publik dhe për të siguruar që të gjithë të kenë akses të barabartë në të. Sot, burime pothuajse të pafund të dhënash dhe fuqia përpunuese po krijon mënyra të reja për të vlerësuar investimet. Për shembull, disa fonde përpiqen të përdorin satelitët për të gjurmuar parkingjet përpara dyqaneve me pakicë dhe të marrin të dhëna mbi inflacionin nga faqet e tregtisë elektronike. Dhe rrjedhimisht, ata do të kenë një informacion më të përditësuar në lidhje me firma të ndryshme, madje më të përditësuar edhe se vetë bordet drejtuese të këtyre firmave.
Deri më tani, fuqizimi i kompjuterëve i ka demokratizuar financat, duke reduktuar kostot. Një fond tipik i investimeve të tregtueshme në bursë (ETF), tarifohet me 0.1%, krahasuar me ndoshta 1% të një fondi aktiv. Ju mund të blini ETF edhe nga telefoni tuaj. Një luftë e vazhdueshme e çmimeve do të thotë që kostoja e tregtimit ka rënë dhe tregjet janë bërë më likuide se kurrë më parë. Sidomos kur kthimet në shumicën e investimeve janë aq të ulëta sa ato të sotme, gjithçka bëhet më e qartë. Megjithatë, epoka në zhvillim e financave të dominuara nga makineritë krijon padyshim edhe shqetësime, ku një prej më të rëndësishmeve është stabiliteti financiar.
Investitorët me përvojë ankohen se kompjuterët mund të shtrembërojnë çmimet e aseteve. Rregullatorët shqetësohen se likuiditeti do të zhduket, teksa tregjet do të bien. Këto pretendime mund të anashkalohen sepse njerëzit janë plotësisht të aftë të shkaktojnë edhe vetë një kaos të vërtetë, dhe kompjuterët të jenë ata që mund të ndihmojnë në menaxhimin e rrezikut. Sidoqoftë, incidentet që kanë ndodhur nuk janë të pakta, dhe këtu mund të përmendim çrregullimin në çmimet e ETF-së në vitin 2010, një rënie të theksuar të sterlinës në vitin 2016 dhe një rënie të çmimeve të borxhit dhjetorin e vitit të kaluar. Dhe pikërisht skeptikët mendojnë se me fuqizimin e mëtejshëm të kompjuterëve, incidente të tilla mund të bëhen edhe më të rënda dhe mund të ndodhin më shpesh.
Një shqetësim tjetër është se si mund të përqendrohet pasuria te financat e kompjuterizuara. Për shkak se performanca mbështetet më shumë në fuqinë përpunuese dhe tek të dhënat, ata që kanë më shumë ndikim mund të arrijnë të gjenerojnë sasi të mëdha parash. Investitorët e shumtë argumentojnë se çdo avantazh që ata kanë pasur mund të konkurrohet lehtësisht. Sidoqoftë, disa fonde po paguajnë për të siguruar të drejtat ekskluzive të të dhënave. Imagjinoni, për shembull, JPMorgan Chase të përdorte të dhënat e saj të brendshme mbi flukset e kartave të kreditit për të tregtuar bonot e Thesarit të tregut. Këto lloje konfliktesh, aktualisht hipotetike, shumë shpejt mund të ndodhin me të vërtetë.
Një shqetësim i fundit është qeverisja e korporatave. Për dekada të tëra, bordet e kompanive janë votuar nga menaxherët e fondeve në emër të klientëve të tyre. Po sikur ato aksione të drejtohen nga kompjuterët që janë agnostikë, ose më keq, janë programuar për të ndjekur një objektiv të caktuar siç është detyrimi i firmave për të paguar një dividend me çdo kusht? Sigurisht që njerëzit mund ta tejkalojnë këtë. Për shembull, BlackRock, firma më e madhe e ETF-ve, u jep firmave udhëzime mbi strategjinë dhe politikën mjedisore. Por kjo ngre edhe një problem tjetër: nëse pasuritë u kalojnë disa menaxherëve të fondeve të mëdha me ekonomi të shkallës, ata do të kenë fuqi votimi të pakufizuar mbi ekonominë.
Hej Siri, a mund të investosh ti, kursimet e së gjithë jetës sime?
Risitë në financa janë të shumta, por shpeshherë ato çojnë në kriza sepse fitojnë shumë besim në vetvete. Në shekullin e 18-të, shoqëria aksionere krijoi flluska, përpara se të fillonte ta bënte biznesin në shkallë të gjerë në shekullin e 19-të.
Parimet e gjera të rregullimit të tregut janë të përhershme: trajtimi i barabartë i të gjithë klientëve, akses i barabartë ndaj informacionit dhe promovimi i konkurrencës. Sidoqoftë, revolucioni i makinerive kompjuterike duket sikur do t’i bëjë rregullat e sotme të duken tmerrësisht të vjetruara. Investitorët njerëzorë do të zbulojnë dhe do të pranojnë se ata nuk janë më, më të zgjuarit e kësaj fushe.