MENU
klinika

Dakordësi mes 6 vendeve

Lëvizja e lirë e njerëzve në të gjithë rajonin pa dy palë kontrolle

10.11.2019 - 15:40

Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët për mediet, nga Ohri tha se bashkëpunimi me atë që deri dje ishte armik është i ndërlikuar në kohë paqeje, por është i vetmi proces që garanton për ata që vijnë pas të mos trashëgojnë luftë, por potencial për prosperitet për një jetë më të mirë.

Deklarata e Kryeministrit Edi Rama erdhi gjatë konferencës së përbashkët për mediet me liderët e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të diskutimeve për procesin e jetësimit të 4 lirive të BE-së në rajon.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, kryetarit të Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, dhe ministres së Ekonomisë të Malit të Zi, Kryeministri Edi Rama duke u fokusuar në rëndësinë që ka bashkëpunimi rajonal në atë që sipas tij duhet të quhet “Western Balkan Shengen”, theksoi se ky ishte një zotim që ai e ka bërë publik që në ditën e parë që ka marrë drejtimin e qeverisë shqiptare, teksa ka nënvizuar se në fund të ditës thelbi është cilësia e jetës së qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

“Po produktet bujqësore të Shqipërisë pse duhet të kalben në kufi me Maqedoninë e Veriut, apo në kufi me Serbinë, apo në kufi me Bosnjë-Hercegovinën, siç kalben fatkeqësisht edhe në kufirin me Kosovën? Sepse janë barriera të të gjitha natyrave që vijnë nga mosbashkëpunimi. Të mos më thotë kush në Kosovë se kalbja e produkteve në kufi është rezultat i mungesës së vullnetit, apo të shtytjes nga ana ime apo qeverisë sonë, sepse e vërteta është ndryshe dhe e lexueshme. Po lejet e punës, pse duhet të jenë ndryshe për qytetarët e BE? Një qytetar i BE mund të vijë lehtësisht dhe të punojnë lehtësisht në vendet tona. Ndërsa një shqiptar për të punuar në Mal të Zi duhet të presë kushedi sa javë. Po turistët pse duhet të marrin gjashtë palë viza për të vizituar rajonin tonë, kur mjafton të hyjnë në një pikë, për të udhëtuar në të gjithë rajonin? S’ka pse vjen gjashtë herë nga Kina se kemi gjashtë kufij, gjashtë administrata etj. Të gjitha këto janë përfitim ekonomik”, – theksoi Rama.

“Po për diplomat… Po pse për njohjen e tyre, duhet pritur 10-15 vite të tjera, siç po presim prej pesë vitesh që kur isha në Beograd? Gjatë asaj vizite, kur ndalova në Kosovë, i premtova qytetarëve të Preshevës se diplomat e tyre do të njihen. Por për ata kush mendon? Po si zgjidhet kjo çështje, duke u larguar, duke u përjashtuar, apo duke u rikthyer në kohët e vjetra? Pse duhet që të gjitha ato që kemi rëndë dakord në dokumente, kemi pesë vite që biem dakord në dokumente, që nuk zbatohen, të konsiderohen si pengje? Apo duke mos u zbatuar për ato që kemi rënë dakord, do përshpejtohet procesi i njohjes së Kosovës? Unë besoj fort se paqja është e ndërlikuar, por është një proces që ia vlen, se bashkëpunimi me ata që deri dje ishin armiqtë nga ana tjetër e barrikadës, është i ndërlikuar në kohën e paqes, është i vetmi proces që garanton për ata që vijnë pas, të mos trashëgojnë luftë, por të trashëgojnë potenciale për mundësi të reja dhe prosperitet për një jetë më të mirë”, – nënvizoi Rama.

“I them të gjitha këto, se e di shumë mirë që çfarë do të vazhdojë dhe mbas kësaj, siç ka nisur dhe para kësaj mbledhjeje. Por asgjë nga këto nuk është e papritur, e panjohur apo pathënë më parë. E kam predikuar këtë bashkëpunim rajonal, që ditën e parë që jam bërë Kryeministër i Shqipërisë për bashkëpunimin rajonal, duke luftuar se sa më mirë të jetojnë njerëzit, aq më shumë potencial ka për të zgjidhur konfliktet e trashëguara nga e shkuara”, – theksoi Rama.

“Në mbledhjen e Durrësit do të jenë të ftuar të gjithë. E konsideroj domosdoshmëri praninë e Kosovës në tryezë, ashtu siç është e rëndësishme prania edhe e Bosnjës dhe Malit të Zi gjithashtu. Kështu që është mirë të jemi bashkë, t’i ndajmë në tryezë opinionet, refuzimet, kundërshtitë, por ama së bashku, sepse cilësia e jetës në fund fare nuk varet se sa shumë nuk biem dakord, por nga mënyra se sa nuk bihet dakord. Ka mënyra e mënyra për të mos rënë dakord, por mënyra më e mirë është duke mos cenuar perspektivën e përbashkët. Ne kemi interesin të fitojmë, Kosova ka interes të fitojë, por s’kemi mundësi të kemi një proces ku njëra palë fiton, tjetra humbet, por duhet një proces ku të gjithë të gjejmë mënyrën të fitojmë, dikush më shumë e dikush më pak”, – tha Rama.