Presidenti Ilir Meta ka mbërritur në Presidencë. Pas pak pritet betimi i anëtarëve të rinj të zgjedhur të Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji.
Dy u votuan nga Kuvendi dhe një u dekretua nga Presidenti.
Kjo në mbështetje të nenit 129 të Kushtetutës dhe nenit 8 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar.
Ndërkohë që për Arta Vorpsin, kandidatja e cila ishte e para në listën për vakancën e shpallur nga Kreu i Shtetit, dhe që sipas vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare, është shpallur automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese, është publikuar në media një dokument i noterizuar ku shkruhet se ajo është betuar me dorën në Kushtetutë për të mos shkelur Kushtetutën.
- Oraret e betimit
Zonja Elsa Toska e zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese me Vendimin nr. 133/2019 datë 11.11.2019 të Kuvendit të Shqipërisë, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot në datë 14.11.2019, ora 19:00.
Zonja Marsida Xhaferllari, e emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11350, datë 13.11.2019, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot në datë 14.11.2019, ora 19:30.
Zonja Fiona Papajorgji e zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese me Vendimin nr. 134/2019, datë 11.11.2019 të Kuvendit të Shqipërisë, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot më datë 14.11.2019, ora 20:00.
Ceremonia e betimit zhvillohet në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe për këtë ftohen të jenë të pranishëm dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese.