Për vitin 2020 arsimi do të ketë buxhet më të lartë krahasuar me vitet e kaluara.
Në kuadër të ‘Paktit për Universitetin‘, projektet e filluara në 2019-tën, që adresuan kërkesat e studentëve në përmirësimin e kushteve në institucionet e arsimit të lartë (IAL) dhe cilësisë së arsimit, do të vijojnë edhe në 2020-tën.
“Me fokus studentët dhe mbështetjen ndaj “Paktit për Universitetin”, në buxhetin e 2020, 90 mijë studentë janë përfitues nga përjashtimi dhe reduktimi i tarifave dhe mbi 12 mijë bursa do të jepen për studentët ekselentë dhe kategoritë në nevojë. Po ashtu në 2020 do të ketë investime infrastrukturore në konvikte dhe qasje në bibliotekën dixhitale e studentëve dhe kërkuesve shkencorë”- shprehet Rama.
Arsimi do të marrë 3.3 miliardë lekë më shumë në buxhetin e vitit të ardhshëm, krahasuar me 2019-ën.
Buxheti për ministrinë e Arsimit llogaritet 42.5 miliard lekë, me një rritje me 9%.
Në këtë sektor do të financohet me përparësi Arsimi i Lartë. Sipas të dhënave në projektbuxhetin e vitit 2020, parashikohet që investimet të rriten më shumë se dyfish për arsimin nga 340.5 milionë në vitin 2019 me mesatarisht 750 milionë lekë në vit, përgjatë 2020 – 2022.
Për 1300-1400 nxënës të arsimit para-universitar nga shtresat sociale në nevojë do të garantohet trajtimi me kuotë ushqimore.