Shqipëria nuk është aspak një prej vendeve ideale për të dalë në pension, por nga ana tjetër nuk është as ndër vendet e fundit që mund të zgjedhësh, në rast se e ke mundësinë e zgjedhjes.
Një raport i publikuar së fundmi nga grupi i menaxhimit financiar “Blacktower” e rendit vendin tonë në pozicionin e 34-ët në Evropë ndër 45 vende të listuara sa i përket klasifikimit të vendeve më të mira europiane për të dalë në pension.
Me një pikëzim në 2.67 pikë, vendi ynë lë pas në renditje edhe Serbinë apo Maqedoninë e Veriut, si dhe vende si Turqia, Gjeorgjia apo Rusia.
Indeksi i përgjithshëm përpilohet mbi bazën e 5 nën-indikatorëve, si: krimi, jetëgjatësia, kosto e jetesës, raporti i atryre mbi 65 vjeç në popullsinë e përgjithshme, si dhe çmimet e shtëpive.
Renditja e Shqipërisë dhe pikëzimi i përgjithshëm merr një shtysë të madhe nga nën-indikatori i çmimit të shtëpive që e rendit Shqipërinë si një ndër 3 performuesit më të mirë në Europë, bashkë me Serbinë dhe Azerbaixhanin, duke i`u referuar kështu çmimeve të ulta.
Në atë të kostove të jetesës ndërkohë, vendi ynë renditet i 34-ti në Europë, me plot 11 shtete që kanë një kosto jetese për pensionistët më të lartë se në Shqipëri.
Në nivel europian, Spanja, Finlanda dhe Italia rezultojnë si vendet më të mira për të qenë një pensionist, ndërsa Moldavia, Kazakistani dhe Azerbaixhani janë vendet më të këqija, sipas këtij raporti të “Blacktower” që ka analizuar 45 shtete europiane.