MENU
klinika

Detyrimi për mjetet e përdorura dhe përjashtimet

Projekti/ Ndryshojnë rregullat për pagesën e taksës së automjeteve

03.11.2019 - 08:27

Nga dita e parë e vitit të ardhshëm, ndryshojnë rregullat për pagimin e taksave të qarkullimit të automjeteve. Një gjë të tillë e kanë lajmëruar kryeministri Edi Rama, si dhe drejtori i Shërbimit Rrugor Blendi Gonxhe.

“Do të të heqim taksat në janar të vitit që vjen për koleksionistët e automjeteve me vlera historike”, tha dy ditë më parë kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë në ceremoninë e 20-vjetorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Në fjalën e tij, Rama tha se “Shqipëria nuk është asnjëherë më shumë tërheqëse sesa kur përmes artefakteve, historia e saj shpaloset në të gjitha format e larmishme që ajo ka pasur dhe siç ndodh me këtë ekspozitë unikale, nganjëherë dhe aq e befasishme saqë natyrshëm njeriu “vret veten” nëse vërtetë të gjitha këto kanë qenë në Shqipëri”, – tha ai.

“Sot janë mbledhur në një hapësirë të posaçme të kryeqytetit, automjete ku nuk janë ulur dhe kanë bërë një copë rrugë me katër rrota vetëm për personazhe historikë, qofshin të mirë apo qofshin të këqinj, por edhe njerëz të apasionuar që meritojnë sot një falënderim dhe një mirënjohje të thellë për faktin se kanë arritur t’i sjellin këto skulptura të së shkuarës deri në ditët tona me kaq përkushtim, edhe pse padrejtësisht kanë qenë të rënduar nga taksat absurde të cilat do t’i heqim të gjitha në fillim të janarit të vitit që vjen. Dhe askush më nga koleksionistët e automjeteve me vlera historike nuk do të jetë i detyruar të paguajë taksa, por do të vazhdojë të kujdeset për objektet e çmuara duke pasur edhe të gjithë mirënjohjen tonë në formën e heqjes së taksave” – theksoi ai.

Image result for taksat e automjeteve

Janë disa kategori automjetesh, për të cilat nuk paguhet taksa e qarkullimit. Sipas ligjit në fuqi, përjashtohen nga pagimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura: a) mjetet në pronësi të ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare, që gëzojnë status diplomatik, të akredituara në Republikën e Shqipërisë, duke zbatuar parimin e reciprocitetit; b) Personat fizikë apo juridikë, të cilët deklarojnë se nuk do të qarkullojnë me mjete në pronësi të tyre gjatë vitit kalendarik, përkohësisht vetëm një herë brenda një viti kalendarik, ose do të dalin përfundimisht nga qarkullimi dhe që dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, targën dhe lejen e qarkullimit, me kusht që të kenë paguar detyrime të prapambetura, nëse kanë. c) pagesat e taksës së mjeteve të bllokuara me vendim të gjykatës, të prokurorisë, për periudhën në të cilën mjeti ka qenë i bllokuar, dhe pagesat e taksës së mjeteve të vjedhura, të djegura, të shkatërruara nga aksidentet, të vërtetuara nga organet e prokurorisë. ç) autoveturat tip deri në 4+1 vende dhe me cilindratë jo më shumë se 2500 kubikë, kur këto mjete kalojnë në zotërim të invalidëve e të veteranëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar, invalidëve të punës, të verbërve, invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë, që e fitojnë këtë status në bazë të ligjeve përkatëse, dhe përdoren vetëm për nevojat e tyre personale e jo për veprimtari private; d) makinat bujqësore.

Po kështu, sipas ligjit, falen të gjitha detyrimet e prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor për mjetet e sekuestruara apo të konfiskuara me vendim të formës së prerë të gjykatës, të cilat i kalojnë në administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ose Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit për qëllime përdorimi apo rishitjeje.

Ndryshimi

Këtyre kategorive tanimë duhet t’i shtohen edhe makinat e vjetra që kanë vlera sa u përket “antikitetit” të tyre. Deri tani, ligji parashikon që, sa më e vjetër të jetë një makinë, aq më shumë rritet taksa e qarkullimit. Dhe, deri tani, përcaktuese për vjetërsinë e makinave ka qenë dhe është vjetërsia e shasisë, ndërkohë që makina mund të ketë një motor shumë të ri dhe arsya e vendosjes së kësaj takes është pikërisht lufta kundër ndotjes së ambjentit. Por në këtë ligj, nuk bëhet përjashtim lidhur me vlerat e veçanta të makinave. Kjo ka bërë që shumë pronarë të tyre të mos i nxjerrin ato fare në qarkullim, pasi taksa është shumë e lartë, ndërkohë që rrezikojnë gjobë për mospagimin e detyrimit. Por një VKM, e cila pritet të dalë këto ditë, do ta ndryshojë rregullin.