MENU
klinika

Janë më të suksesshme se burrat CEO!

Pse duhet ta lini biznesin në dorën e një gruaje?

01.11.2019 - 17:29

Mund të provohet lehtësisht që biznesi ecën më mirë kur një grua është në krye të tij.

Një studim i ri nga S&P, Global Market Intelligence, zbuloi se ndërmarrjet publike me gra CEO ose CFO shpesh ishin më fitimprurëse dhe kishin performancë më të mirë të çmimeve të aksioneve sesa shumë prej kompanive ku këto pozicione ishin emëruar burra.

Studimi vëzhgoi emërimet e reja të CEO dhe CFO për kompani në Indeksin Russell 3000 gjatë 17 viteve të fundit. Ky studim mori në konsideratë 5.825 emërime të reja, nga të cilat 578 zotëroheshin nga gratë.

Dy vjet pas emërimit të një Drejtori Ekzekutiv grua, kompanitë u perceptuan nga investitorët si më pak të rrezikshëm, zbuloi studimi. Dhe kompanitë panë vrull të përmirësuar në çmimet e tyre të aksioneve.

Kompanitë me CFO të gjinisë femërore u perceptuan gjithashtu si baste më pak të rrezikshme nga investitorët dhe ishin më fitimprurës. Duke parë të gjithë periudhën 17-vjeçare, studimi zbuloi se kompanitë e grave CFO, gjatë kohës së tyre, gjeneruan 1.8 trilion dollarë më shumë në fitime bruto se mesatarja e sektorit të tyre.

Për shembull, një nga firmat e marra në studim me një CFO grua gjeneroi 208,6 milion dollarë fitime bruto në një tremujor të caktuar. Kjo ishte afro 33 milion dollarë më shumë sesa fitimi mesatar prej 175,7 milion dollarë për ndërmarrjet në të njëjtin sektor.

Diversiteti gjinor në bord gjithashtu u përmirësua. Studiuesit zbuluan se kompanitë që emëruan një grua në pozicionin CEO kishin dyfishin e numrit të anëtarëve të bordit gra sesa mesatarja e tregut gjatë mandatit të saj. Dhe ata gjetën se firmat me diversitet të lartë gjinor në bordet e tyre ishin më fitimprurëse sesa ato me diversitet gjinor të ulët.

Gratë drejtuese kërkohen të kenë një standard më të lartë?

Pse gratë CEO dhe CFO ecin kaq mirë? A i kryenin punët e tyre ndryshe nga homologët e tyre burra?

Studimi analizoi gjuhën e përdorur në biografitë e drejtuesve të sapo emëruar, veçanërisht fjalët kyçe që pasqyrojnë arritje, arsim dhe tipare personale të lidhura me suksesin – fjalë si produktiviteti, teknologjia, Wharton dhe udhëheqja.

Ajo gjeti një lidhje të fortë midis fjalëve kyçe të përdorura në të gjitha biografitë e grave dhe ato që gjenden në biografitë e drejtuesve më të suksesshëm burra. Sidoqoftë, nuk kishte një lidhje të fortë me fjalët kyçe në biografitë e burrave më pak të suksesshëm.

Studiuesit e S&P sugjerojnë se kjo mund të nënkuptojë që atributet e zakonshme shkaktojnë sukses midis burrave dhe grave, por që bordet i këkojnë gratë CEO dhe CFO në një standard më të lartë se burrat para punësimit të tyre.

Ose, e thënë ndryshe, bordet punësojnë burra shumë më shpesh, edhe pse disa prej atyre që ata emërojnë nuk janë domosdoshmërisht aq të kualifikuar sa disa kandidate gra, siç sugjerohet nga performanca më e mirë e grave drejtuese në studimin e S&P.

/Përkthyer dhe përshtatur për Konica.al nga CNN.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Fatura 2 mld euro e koncesioneve

A rrezikojmë rritje taksash?