Ndërkohë që qeveria nuk ka realizuar as gjysmën e buxhetit për investime publike, situatë tejet ndryshe paraqitet në shpenzimet korrente.
Sipas treguesve fiskalë të publikuara nga Ministria e Financave, në periudhën Janar-Tetor 2019, shpenzimet korrente regjistrohen në vlerën e e afro 341.9 miliardë lekëve, apo rreth 23.5 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Konkretisht janë rritur shpenzimet për personelin, duke u regjistruar në 63.7 miliardë lekë, apo rreth 2.9 miliardë lekë më shumë se 10-mujori 2018.
Në këtë kategori bën pjesë rritja e shpenzimeve për pagat, si dhe e kontributit për për sigurimet shoqërore, ndërsa paraqiten në rënie shpenzimet për arsimin e lartë.
Një rritje të lehtë kanë pasur shpenzimet për interesat, ku përfshihen ato të brendshme, të huaja, me 200 milionë lekë.Ndërkaq, rritje të konsiderueshme krahasimisht me vjet kanë pësuar shpenzimet operative mirëmbajtje, me afro 3.2 miliardë lekë krahasuar me Janar-Tetor 2019.
Po ashtu janë rritur shpenzimet për subvencione si dhe për fondet speciale, ku përfshihen sigurime shoqërore, shëndetësore, fondi për kompensim pronarësh, me një total prej 143.1 miliardë lekë apo rritje me afro 8.2 miliardë lekë.